E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Berisha sulmon Top Channel

Në konferencën për shtyp të mbajtur para pak castesh, kryeministri Berisha ka sulmuar, ndonëse me tone jo të ashpra, televizionin Top Channel për transmetimin e videos Meta-Prifti.

Duke e cilësuar edhe njëherë videon si të montuar, Berisha ka deklaruar se autorët e saj do të mbajnë përgjegjësi.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se zëvendësi i tij Ilir Meta ka qenë i gatshëm për të dhënë dorëheqjen që dje, por e bëri këtë sot, pas faktimit të manipulimeve.

“Dorëheqja u bë e parevokueshme pasi në dritën e diellit u duk pafytyrësia totale e cimkës së transmetuar nga Top Channel. Nga dje deri sot ka ndryshuar faktimi i manipulimit të videos. Nuk është faji i Top Channel, por autori i cimkës do të mbajë përgjegjësi”, ka pohuar Berisha.

Ai ka theksuar se Top Channel është kundërshtari i tij, por jo për këtë i lejohet të bëjë, sipas tij, manipulime të tilla.

“Top Channel është kundërshtar i Berishës dhe unë e respektoj cdo kundërshtar, por s’kam sharë askënd atje. Top Channel është i autorizuar nga unë të bëjë editoriale kundër meje, por nuk mund të bëjë manipulime me të cilat u tentua direkt të hidhej kryeministri i vendit, që s’kishte asnjë lidhje”, ka deklaruar Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›