E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoklipi i “Suus”, rreth 45 mijë klikime për dy ditë

22/03/2012  Foto: http://www.eurovision.tv/page/multimedia/videos?id=49373

“Ky vit duket si beteja e baladave. Kjo është shumë e fuqishme. Vetëm shpresoj që të jetë po aq e mrekullueshme edhe në interpretimin ‘live’ në skenë. Kjo është thelbësore për një këngë si kjo. Fat të mbarë Shqipëri!”. Ky është vetëm një prej komenteve të bëra në siten e “Eurovizion”-it për këngën shqiptare të interpretuar nga Rona Nishliu, “Suus”, e cila përfaqëson këtë vit vendin tonë në Festivalin Evropian të Këngës.

Videoklipi i këngës ka vetëm pak që është lancuar, dhe pikërisht në këtë moment, “Suus” është dëgjuar nga mijëra njerëz. Majfton të nënvizojmë se vetëm 48 orë që nga koha e publikimit zyrtar të videoklipit të këngës në ueb faqen e “Eurovisionit”, “Suus” është klikuar afër 45 mijë herë. Në kanalin virtual “youtube” kënga është postuar disa herë edhe nga përdorues të tjerë, ndërsa me të madhe ka qarkulluar edhe në rrjetin social “Facebook”. Duket se kënga jonë përfaqësuese në garën më të madhe të këngës evropiane, në bazë të numrit të klikimeve është shumëfish më e kërkuar sesa ato të rajonit.

Në videon e publikuar të përfaqësuesit të Serbisë, Zheljko Joksimoviq, me këngën “Nije ljubav stvar”, numërohen rreth dhjetë mijë klikime. Videoja e këngës “Korake ti znam” e përfaqësueses së Bosnjë-Hercegovinës që këndohet nga Maya Star, është klikuar mbi nëntë mijë herë, Kaliopi me “Crno i Belo” i Maqedonisë ka marrë pak më shumë se pesë mijë klikime, ndërsa përfaqësuesja e Kroacisë, Nina Badriq, me këngën e saj “Nebo” nuk është dëgjuar më shumë se 4 mijë herë, në dy ditët e para të postimit zyrtar. Kënga “Love me back” e Can Bonomo nga Turqia ka marrë më shumë se 25 mijë klikime. Ndërsa më shumë se kënga e Nishliut janë klikuar vetëm “La la love” e Ivi Adamou nga Qiproja 72 mijë klikime dhe “Kuula” e Ott Lepland nga Estonia me 50 mijë klikime. Kjo ka shtuar edhe më shumë “ethet” e këngëtares Rona Nishliu. “Është shifër e mirë”, ka thënë Nishliu për medien, ndërsa nuk ka hamendësuar nëse kjo shifër mund të merret si barometër për suksesin e këngës. Megjithatë, për Nishliun, është e rëndësishme që “Suus” ka fituar vëmendje mjaft të madhe. “Më pëlqen që ka zgjuar kureshtjen e njerëzve që e kanë parë dhe besoj që është numër i kënaqshëm për një afat të tillë”, citohet ajo në mediat e Kosovës. “Ky është standardi i muzikës që Evropa duhet të ketë. Mendoj se kjo është kënga më e mirë e këtij viti”, vëren dikush tjetër në faqen zyrtare të Eurovizion-it, ndërkohë që komentet, të gjitha pozitive, janë me dhjetëra dhe vijnë kryesisht nga shqiptarë, por anekënd globit, që nga Rumania, Spanja, Suedia, Anglia e SHBA. “Ajo është e mahnitshme dhe ka një zë të fuqishëm. E dua zërin e saj. Ajo do të fitojë”. “Ka diçka në këtë këngë që më pëlqen vërtet, por nuk jam i sigurt nëse do të kuptohet ditën e shfaqjes në performancë live gjatë konkurrimit...”.

Vizualisht, kënga me të cilën këngëtarja nga Kosova, Rona Nishliu, do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong”, është realizuar me skenar dhe regji të Bekim Lumit. Kamera dhe montazhi mbajnë emrin e Yll Çitakut. Realizimi është bërë nga kompania “Koperativa”, ndërsa videoklipi është prodhim i Radiotelevizionit Shqiptar. Përveç hapësirës së “eurovision.tv” që ka pasur ekskluzivitetin e publikimit, videoklipi i “Suus” do të transmetohet nga të gjithë transmetuesit publikë anëtarë të EBU-së, të cilët përfaqësohen në “Eurosong”. Fesitvali prestigjioz i këngës evropiane do të mbahet në Baku të Azerbejxhanit, në muajin maj. Rona Nishliu, në shkurt të këtij viti, kishte incizuar këngën “Suus” në Los Angeles, aty ku dikur kishin incizuar “The Beatles”, Frank Sinatra, Ray Charles etj. Lady Gaga në ditët e sotme është njëra prej yjeve që regjistron po në atë vend. Fituesja e edicionit të 50-të, në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, bashkë me kompozitorin Florent Boshnjaku, kanë incizuar në studiot “Capitol Records” dhe “Oceanëay Recording”. Tekstin e këngës “Suus” e ka shkruar Rona Nishliu. Kostumografinë për videoklipin e ka bërë Flutura Dedinja, skenografinë Alban Muja. Për ndriçimin është kujdesur Samir Karahoda, postproduksion Arian Rexhepi. Ndërsa me role janë paraqitur Gent Pacolli dhe Flon Mikullovci. Rona Nishliu është fituesja e festivalit të 50-të të këngës në Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe do të përfaqësojë shtetin shqiptar në Festivalin e Këngës në Eurovizion, që zhvillohet nga 22 deri më 26 maj, në Baku të Azerbajxhanit.

b.goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›