E Diel, 1 Nëntor 2026

ISSH kalon fondin e pagesave nuk rrezikohen përfitimet

22/03/2012  Posta, radhët për pensionet marrin fund në nisje të prillit

Pranvera Kola

Radhët e gjata dhe kaosi i shkaktuar në sportelet postës për marrjen e pensioneve do të vijojë deri në mbyllje të muajit, kohë në të cilën do të shpallet grafiku i ri i shpërndarjes së pensioneve. Burimet zyrtare të Postës bëjnë me dije se fondi i pagesave për ndarjen e pensioneve është kaluar në kohë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe asnjë pensionist nuk do të rrezikojë marrjen e pagesave, pasi deri në mbyllje të muajit do të jetë hartuar edhe grafiku i ri i shpërndarjes. "Më datën 1 prill ky shërbim do të fillojë i informatizuar. Sigurisht, do të ketë komoditet në ofrimin e këtij shërbimi dhe për këtë kërkohet edhe një grafik i saktë për të balancuar datat e shpërndarjes së pensioneve, me qëllim eliminimin e radhëve dhe të konfuzionit, ku çdo pensionist do të ketë datën e tij të përcaktuar të marrjes së pensionit. Me paraqitjen e klientit në sportel do të eliminohen veprimet e bëra deri më tani, por menjëherë do të dalë informacioni për pensionin", - ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme drejtoresha e Postës për Tiranën Elena Andoni. Duke iu referuar situatës kaotike të krijuar gjatë ditëve të fundit, drejtuesit e Postës janë të ndërgjegjshëm për faktin se nisma e re, me rregulla të reja në ndarjen e pensioneve, ka edhe vështirësi për t’u zbatuar, ndaj kërkon mirëkuptim e pensionistëve, që të mund të zgjidhin në kohë këtë problematikë. “Posta, duke respektuar kontributin dhe mundin e pensionistëve, e vlerëson si detyrim ndaj publikut transparencën në lidhje me shfaqjen e radhëve të gjata të krijuara ditët e fundit në sportelet e zyrave të pensioneve në filialin e Tiranës. Për këtë sqarohet se duke u nisur edhe nga vërejtjet dhe sugjerimet e pensionistëve, ka filluar një procedurë dhe organizim të ri i shërbimit të pagesës së pensioneve, i cili konsiston: së pari, për të respektuar personalitetin e çdo pensionisti. Si në të gjithë botën, janë hartuar grafikët e ndarjes së pensioneve, sipas të cilit çdo pensionist do të ketë datën e tij të përcaktuar e të mos presë në radhë për të marrë pensionin”, - konfirmohet zyrtarisht nga ky institucion. Për të orientuar pensionistët në marrjen e informacioneve të duhura lidhur me këtë proces specialistët bëjnë me dije se në çdo zyrë Posta ka tashmë të afishuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm me modelin e ri të shpërndarjes së pensioneve, sipas të cilit pensionistët do të kenë në dorë një dokument zyrtar për masën e pensionit të paguar. Në këto kushte, do të shmangen të gjitha mundësitë që njerëz të pandërgjegjshëm të abuzojnë me të ardhurat e pensionistëve.

Detajet

Fondi i pagesave për ndarjen e pensioneve është kaluar në kohë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore kështu asnjë pensionist nuk do të rrezikojë marrjen e pagesave në kohë.

Për të shmangur abuzimet që mund të bëhen me ndarjen e pagesave, pensionistët do të pajisen me dokument zyrtar, me anë të të cilit konfirmohet masa e pensionit të paguar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›