Vidhet kasaforta e ministrisë

Një vjedhje e rëndë ka ndodhur gjatë vikendit në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë.
Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë deklaruar se, nga zyra e financave është vjedhur kasaforta në të cilën dyshohet se ka pasur mjete financiare dhe çeka me vlerë.
Ndërkohë një zyrtar brenda kësaj ministrie në kushte anonimiteti ka thënë se, sot herët në mëngjes ka pasur forca të mëdha të policisë të cilët kanë dalë për të hetuar rastin.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se, Policia e Kosovës, sot ka pranuar një informacion se në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, në një objekt është raportuar për një rast vjedhje.
"Njësitet policore menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për hetimin e rastit të cilësuar si vjedhje e rëndë", ka deklaruar major Kelani, duke shtuar se, deri në këto momente nuk raportohet për persona të arrestuar, përderisa hetimet policore janë duke vazhduar.
Indeksonline ka tentuar të kontaktojë edhe me këshilltarin politik të MI-së, Lah Nitaj, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur fare në telefonin e tij. /Valdrin Krasniqi /Indeksonline/