E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin bizhuteri, arrestohen 2 shqiptarë në Greqi

Policia greke ka arrestuar dy shqiptarë, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe 2 shqiptarë të tjerë.

Sipas policisë, 4 shqiptarët kanë hyrë të paktën në 16 shtëpi, ku kanë vjedhur të holla dhe stoli me një vlerë prej 220 000 euro, të cilat i kanë dërguar në Shqipëri për të shitur.

Policia identifikoi në autostradën Artë-Janinë dy shqiptarë të moshës 25 dhe 29 vjet, që drejtonin dy makina të ndryshme, me të cilat po shkonin në Shqipëri. Ata u ndaluan për kontroll dhe policët gjetën në motorin e makinës së drejtuar nga 25 vjeçari, bizhuteritë e fshehura, posedimin e të cilave ai nuk mundi ta justifikonte. Dy të rinjtë u arrestuan dhe u dërguan në prokurori.

Të dyshuarit pranuan përfshirjen e tyre në vjedhjet e kryera në fshatra të ndryshme të Artës dhe zbuluan detajet edhe mbi dy bashkëpunëtorë të tyre të moshës 34 dhe 33 vjec, të cilët janë shpallur në kërkim.

Prokuroria e Artës i akuzon shqiptarët për bashkëpunim, me qëllim vjedhjen, ndërsa janë konfiskuar edhe automjetet e tyre me të cilat kryenin fshehjen dhe transportimin e mallrave të vjedhura.

Shumë e bizhuteri të gjetura u identifikuan nga pronarët e tyre, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për të identifikuar pjesëtarët e tjerë të bandës dhe për të vërtetuar nëse të akuzuarit janë të përfshirë edhe në vjedhje të tjera.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›