Shqipëria, tradicionalisht mike e vërtetë e qytetarëve të Izraelit
Çelet në Tiranë Ambasada e Izraelit. Ministri i Jashtëm i Izraelit Avigdor Lieberman: “Mirënjohje popullit shqiptar për qëndrimin ndaj popullit hebre gjatë Luftës së II Botërore”
Kryeministri Berisha prit dje në takim, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit Avigdor Lieberman. Kryeministrit Berisha, duke i uruar ministrit Lieberman mirëseardhjen, e konsideroi këtë një vizitë historike në marrëdhëniet shumë miqësore midis dy vendeve e kombeve tona.
Lieberman u shpreh tha se ndjehej i kënaqur që vizitonte Shqipërinë dhe që kjo vizitë ka si qëllim hapjen e ambasadës së Izraelit në Tiranë. Hapja e ambasadës, theksoi ai, do t’i shërbejë rritjes së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe nxitjes së rezultateve pozitive e domethënëse në bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushën ekonomike, të inkurajimit të biznesmenëve izraelitë për të investuar në Shqipëri, si dhe në promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik për qytetarët izraelitë.
Lieberman i shprehu gjithashtu Kryeministrit, mirënjohjen e popullit dhe vendit të tij për qëndrimin që populli shqiptar mbajti ndaj popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet midis dy popujve tanë, tha Lieberman, janë tepër të hershme dhe shtrihen në shekuj dhe tani, edhe me hapjen e ambasadës, ne kemi mundësi të mëdha t’i forcojmë këto marrëdhënie.
Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e konsideroi hapjen e përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Shqipëri një ngjarje të madhe në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe i shprehu ministrit Lieberman mirënjohjen për angazhimin e fortë personal të tij, të qeverisë së Izraelit, Kryeministrit Netanyahu dhe Presidentit Shimon Peres. Hapja e ambasadës së Izraelit në Shqipëri, tha Kryeministri, është një zhvillim i madh dhe jam i sigurt se do të arrijë rezultate të mëdha në çuarjen përpara të marrëdhënieve tona të gjithanshme.
Në takim u shpreh angazhimi i dy vendeve për të punuar bashkërisht për të identifikuar dhe shfrytëzuar të gjitha hapësirat për rritjen e bashkëpunimit, veçanërisht atij ekonomik. Kryeministri Berisha i parashtroi Lieberman disa nga fushat prioritare të zhvillimit, ku potencialet e vendit janë të jashtëzakonshme, si energjia, ku Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe potenciale të mëdha për të zhvilluar të gjitha llojet e energjisë së rinovueshme, sektori minerar, ku gjithashtu vendi është i pasur me burimeve natyrore, turizmi, i cili gërsheton bukuritë natyrore me trashëgiminë pasur kulturore dhe sitet arkeologjike. Kryeministri Berisha tha se ishte premtues fakti se interesi i investitorëve izraelitë për të investuar në Shqipëri po rritet, duke garantuar se projektet e tyre këtu do të jenë histori suksesi.
Me rëndësi u vlerësua nga të dyja palët edhe rritja e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimi dhe rritja e kontakteve të ndërsjella në këtë drejtim.
Duke folur për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, u shpreh shqetësimi i përbashkët për aktet brutale të dhunës të regjimit të al Assad dhe bindja se populli sirian duhet mbështetur në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kësaj dhune. Gjithashtu, në takim u shpreh shqetësimi jo vetëm për politikën nukleare të Iranit, por edhe për qëndrimet kërcënuese të Iranit që krijojnë shqetësim e paqëndrueshmëri në rajon. Kryeministri Berisha u shpreh se ambicia e Iranit për të zhvilluar programin e tij bërthamor përbën një kërcënim jo vetëm për Izraelin, por edhe paqen e stabilitetin në botë.
Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm dje në mbrëmje në ceremoninë e hapjes së ambasadës së Izraelit në Shqipëri. Pas himneve kombëtare të dy vendeve, hapja përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Tiranë u përshëndet nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit Avigdor Lieberman, i cili ndodhet në një vizitë në Shqipëri për këtë qëllim, si dhe nga Kryeministri Sali Berisha.
Panariti-Lieberman: "Hapja e ambasadës, shtysë e re për marrëdhëniet mes dy vendeve"/Ministri i jashtëm, Edmond Panarit dhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve. Pas takimit që patën mes tyre dy zyrtarët e lartë parashtruan gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp pritshmëritë në bashkëpunimin ekonomik e politik. Duke kulmuar me hapjen e ambasadës izraelite në Tiranë, ministri Panariti dhe ai Lieberman garantuan se tashmë një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit në fushën ekonomike. Hapja e kësaj ambasade, sipas Panaritit, është një shtysë dhe frymë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve. "Momente të veçanta historike mes të dy popujve gjejnë sot shprehjen e tyre më kulmore me hapjen e ambasadës së shtetit të Izraelit në Tiranë", u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Avigdor Lieberman, pas një takimi të veçantë që patën mes tyre.
"Marrëdhëniet historike mes dy popujve tanë janë të shtrira në shekuj. Por ne u mbështetëm fuqimisht te njëri-tjetri sidomos gjatë viteve të errëta, mizore, të terrorit nazist. Zemrat dhe dyert e familjeve shqiptare u hapën për familjet hebreje. U hapën për një popull të martirizuar, por edhe të sprovuar me sakrifica të shumta", tha Panariti.
Prej këtu, vijoi ministri Panariti, "lulëzon fara e miqësisë, e mirënjohjes, e respektit reciprok midis dy e popujve tanë".
Për sa i përket çështjes së Kosovës në raport me shtetin e Izraelit ministri Panariti tha se, "padyshim ka ndodhur progres, pasi tashmë pasaportat e Kosovës njihen nga shteti i Izraelit, gjë që është diçka shumë sinjifikative". Ministri Panariti theksoi se në takim u diskutua edhe për çështjet e bashkëpunimit rajonal dhe qëndrimeve për Lindjen e Mesme.
Panariti shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve janë dhe do të jenë një model për t’u ndjekur edhe nga vendet e tjera.
Ministri Panariti gjithashtu kërkoi forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në nivel rajonal mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. "Padyshim kjo është rruga më e mirë për integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian”, u shpreh Panariti.
Nga ana e tij zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shtetit të Izraelit, Avigdor Lieberman, vlerësoi "marrëdhëniet mjaft të qëndrueshme mes dy vendeve dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të cilin i gjithë populli izraelit është mirënjohës".
Në konferencën për shtyp Lieberman theksoi se "hapja e kësaj ambasade do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve të vjetra dhe të qëndrueshme mes vendeve". Sipas Lieberman, "shtysat nuk duhet të jenë vetëm në kuadrin politik, por edhe në marrëdhëniet ekonomike. Jam i bindur se është koha e duhur që marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve të njohin një shtysë të re. Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike duhet të zhvillojë dhe marrëdhëniet politike", tha Lieberman.
Me krizën ekonomike botërore, vijoi Lieberman, "është koha e duhur që kompani të reja izraelite ta shohin Shqipërinë si një treg potencial. Do doja që ky bashkëpunim mes dy ministrive të shtrihej edhe përmes Dhomave të Tregtisë".
Duke u shprehur se arsyeja e vizitës së dytë zyrtare të tij në Shqipëri është për ceremoninë e hapjes së ambasadës izraelite në Tiranë, Lieberman nënvizoi se për të "Shqipëria është më shumë se një destinacion strategjik". "Jemi dy vende të vjetra mike dhe kjo ceremoni sot do t’i japë një zhvillim të ri marrëdhënieve mes dy vendeve", nënvizoi Lieberman.
Në lidhje me situatën në Kosovë, Lieberman u shpreh se "nga perspektiva ime, si vend i Lindjes së Mesme, shpresoj dhe uroj që të gjeni zgjidhjen e problemeve tuaja në marrëdhëniet bilaterale, edhe në komunikimin direkt". "Shpresoj shumë që bashkëpunimi ynë të zhvillohet në aspektin kulturor dhe të agrikulturës, ku kemi një eksperiencë mjaft të gjatë", tha zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Shtetit të Izraelit, Avigdor Liebereman.
Shqipëria, tradicionalisht mike e vërtetë e qytetarëve të Izraelit
Nga Sali Berisha *
Sot është një ditë e madhe, është një ditë e veçantë dhe historike në marrëdhëniet e gjata midis dy kombeve tona. Sot hapet në Shqipëri, ambasada e shtetit të Izraelit, si dëshmi e një marrëdhënie të shkëlqyer, të gjatë, i një raporti të veçantë moral që bashkon dy kombet tona.
Me këtë rast, dua t’ju shpreh falënderimin tim më të përzemërt juve, zoti Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për rolin kryesor që keni luajtur në vendimin e qeverisë suaj për të hapur ambasadën e shtetit tuaj në Tiranë, të falënderoj Kryeministrin Netanyahu dhe Presidentin Shimon Peres për dekretimin si ambasador i parë rezident në Tiranë të zotit Cohen, një ambasador i shkëlqyer, me kontribute të veçanta në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Hapja e ambasadës së shtetit të Izraelit përbën një inkurajim të madh për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve midis dy kombeve e vendeve tona, në të gjitha fushat. Shqipëria është një vend i vogël, por, para së gjithash, për qytetarët e vendit tuaj është një vend tradicionalisht në shekuj e mijëvjeçarë mik i vërtetë. Në këtë vend janë gjetur gjurmë të hershme të ngulimeve hebreje që shkojnë shumë e shumë shekuj më parë. Edhe historia dëshmon se në periudha të ndryshme, valë emigrantësh hebrenj, të shpërngulur nga vende të Europës, kanë gjetur këtu strehë e miqësi dhe kanë dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e këtij vendi. Faqja më e ndritur e marrëdhënieve midis dy kombeve tona u shkrua në një nga momentet më të vështira të historisë së kombit tuaj dhe në një nga barbaritë më të mëdha të qytetërimit të realizuar ndonjëherë, siç ishin vite e Holokaustit që filluan në vitin 1933, për të përfunduar me Luftën e Dytë Botërore.
Pak muaj më parë vizitova muzeun e Holokaustit në Washington. Dua t’ju rrëfej një të vërtetë intime. Ajo ditë ishte dita e dytë, në të cilën jam ndjerë më krenar në jetën time. Duke vizituar galeritë e këtij muzeu njiheshe me universin e dhimbjes së madhe, por edhe të një barbarie që filloi në vitin ’33, ndaj qytetarëve hebrenj, në vende të qytetëruara, që u tolerua, u bashkëpunua, pasi ky ishte një proces i gjerë. Tek shikoja fillimet e Holokaustit në Gjermani, më rikujtoheshin vitet e diktaturës që ne kishim përjetuar në Shqipëri. Për të gjithë ata që e njohin, diktatura, terrori ka aftësinë e tmerrshme të shndërrimit të frikës në të gjitha ndjenjat e tjera njerëzore. Kjo ndodhi fillimisht me kombin e madh gjerman e më pas me kombe të tjera, të cilët ose u treguan indiferentë, ose në një mënyrë apo tjetër favorizuan këtë barbari të pashembullt. Kjo nuk ndodhi me shqiptarët, nuk ndodhi me Shqipërinë zyrtare të viteve ’30. E kundërta është e vërtetë. Shërbimit konsullor që kishte në vende të ndryshme, mbreti shqiptar i dha porosi të mos pengonte lëvizjen e hebrenjve drejt Shqipërisë. Në atë muze, shqiptarët figuronin kombi i vetëm që jo vetëm nuk mori pjesë, nuk ka bashkautorësi në Holokaust, por bëri gjithçka, në emër të virtytit e moralit të tij, të shpëtojë jetën e qytetarëve hebrenj, nga një gjueti çnjerëzore që zhvillohej pothuajse në mbarë Europën.
Është në meritën më të madhe të atyre qytetarëve të kombit tuaj, të cilët pas lufte u bënë avokatët më të fuqishëm të virtytit moral të shqiptarëve. Ata kishin prodhuar një film ndër më të bukurit që unë kam parë në jetën time. Filmi titullohej “Besa” dhe dëshmonte gjithë këtë akt të familjeve shqiptare në mbrojtje të qytetarëve hebrenj në Shqipëri, numri i të cilëve u rrit disa herë në fund të luftës, krahasuar me fillimin e saj.
Kombi juaj gjatë gjithë këtyre dekadave njohu zhvillime të fuqishme, të pandërprera. Në një mjedis armiqësor ndaj tij, në të cilën antisemitizmi përdoret si doktrinë për të konsoliduar regjimet opresive dhe si një atavizëm i një trashëgimie të shkuar, Izraeli u bë shembull i zhvillimit demokratik dhe potencialeve të mëdha të lirisë dhe fakti që ju, zoti Lieberman, një ish student në Bashkimin Sovjetik jeni sot, këtu, si Zëvendëskryeministër i këtij shtetit, për të hapur ambasadën e vendit tuaj në Tiranë. Kjo është mrekulli e lirisë në tërësi dhe e vendit tuaj në veçanti.
Ndaj mendoj se mënyra më e mira e nderimit të këtij raporti moral, që ka bashkuar shqiptarët dhe hebrenjtë, është sot hapja e kësaj ambasade, e kësaj shtëpie të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Jam i sigurt se marrëdhëniet tona do të njohin zhvillime shumë pozitive, miqësore në të ardhmen.
Edhe një herë urimet më të përzemërta dhe falënderimet e mia për rolin tuaj personal, përshëndetje të përzemërta Presidentit Peres dhe Kryeministrit Netanyahu, për vendimin e tyre të shkëlqyer për të hapur ambasadën në Shqipëri.
* Fjala e Kryeministrit Sali Berisha në ceremoninë e hapjes së ambasadës së Izraelit në Shqipëri