E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vihet në pranga Selami Hasani, vrau në 2002-shin të besuarin e Ben Qimes

Policia e Fierit dhe RENEA kanë organizuar operacionin "Parukieri" duke arrestuar 43-vjeçarin


FIER - Policia e Fierit dhe RENEA vënë në pranga Selami Hasanin, i dënuar për dy vrasje të kryera në vitin 2002 në bashkëpunim. I prangosuri akuzohet për vrasjen e Julian Isufit dhe Esat Tares, si dhe plagosjen e Bledar Kastratit dhe Taip Sulajt.


Ngjarja e ndodhur në qendër të Fierit 7 vjet më parë ishte rrjedhojë e një konflikti midis grupit të Selit (Selami Hasanit) dhe Ben Qimes (Arben Isufajt, i liruar rreth dy muaj më parë nga akuzat për vrasje, pasi gjykata hodhi poshtë provat e siguruara nga akuza). Arrestimi i 43-vjeçarit, banor i qytetit të Fierit, u bë në banesën e tij.


Pas prangosjes së të kërkuarit, drejtori i policisë së qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, u shpreh se Selami Hasani u vu në pranga rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm në banesën e tij në lagjen "1 Maji".


Kreu i policisë u shpreh se nisur nga rrezikshmëria e të kërkuarit, pasi u identifikua vendndodhja e tij, u organizua një operacion i përbashkët me RENEA-n, i koduar "Parukieri". "Fillimisht u bë rrethimi i banesës në disa breza me qëllim që të kishim terrenin në dorën tonë dhe askush të mos shpëtonte gjatë këtij aksioni sekret.


Pasi u krye dhe asgjë nuk mungonte nga plani i hartuar qysh më parë, u ndërhy në banesë", deklaroi Premçi. Sipas tij, Hasani fillimisht ka tentuar të largohet, por i është përgjigjur thirrjes për dorëzim nga policia pa kushte.


Në momentin e kapjes atij iu gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta (njëra TT, tjetra Zastava). Premçi deklaroi se gjatë kohës që ishte në kërkim, 43-vjeçari kishte qenë edhe jashtë shtetit, por ndryshimet e fizionomisë së tij e kishin bërë pak të vështirë mbajtjen nën vëzhgim.


Selami Hasani është një nga armiqtë e Ben Qimes (Arben Isufajt). Ky i fundit u lirua rreth dy muaj më parë, pas arrestimit vitin e kaluar.


Pavarësisht akuzave për vrasje që rëndonin ndaj tij, togat e zeza vendosën lirimin për "mungesë provash". Ndërkohë, Hasani është dënuar në vitin 2004 me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e Julian Isufajt (njeri i besuar i Arbenit dhe djalë xhaxhai i tij) dhe Esat Tares, si dhe plagosjen e dy shtetasve të tjerë. Konflikti mes Hasanit dhe Isufajt (të cilët dikur ishin pjesë e një grupi) lindi pas vrasjes së babait të Isufajt nga vëllai i Hasanit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›