E Diel, 1 Nëntor 2026

Vihet nën kontroll zjarri i rënë tek një kompleks pallatesh pranë QSUNT-së

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Zjarri i rënë në një kompleks pallatesh pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” aktualisht është vënë nën kontroll të plotë, por nuk është shuar plotësisht.

Zona vijon të monitorohet për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve, ndërsa strukturat përgjegjëse po vijojnë kontrollin në çdo apartament për të evidentuar persona të lënduar apo të bllokuar.

Si pasojë e incidentit janë lënduar 6 efektivë zjarrfikës dhe 2 qytetarë, të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor.

Në operacionin për përballimin e situatës u angazhuan rreth 70 forca zjarrfikëse me 15 mjete, 50 forca policore, si dhe struktura të tjera mbështetëse, përfshirë urgjencën mjekësore, UKT-në, forcat bashkiake dhe vullnetarë.

Forcat e Armatosura kontribuuan me 44 efektivë, 6 mjete zjarrfikëse, 1 helikopter Cougar, 1 autoambulancë dhe 1 mjet tip Land Rover të pajisur me oksigjen.

Shërbimi mjekësor i Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me strukturat vullnetare të emergjencave civile, u angazhua që në fazën fillestare, duke ofruar ndihmën e parë dhe transportin e të lënduarve.

Drejt spitalit u transportuan 3 zjarrfikës me djegie të shkallës së dytë, 2 zjarrfikës me simptoma asfiksie, si dhe 2 qytetarë të evakuuar nga objekti.

Në një deklaratë për mediat, Hajdari tha se para pak minuatash u evakua edhe një i moshuar nga pallati.

“Deri tani jemi të lumtur se nuk ka asnjë viktimë. Ka djegie dhe lëndime të karakterit jo të rëndë. Para 10 minutash u evakuar një banor që ishte në gjumë, falë veprimeve heroike të zjarrfikësve tanë. Për të qetësuar gjithë opinionin publik, zjarri është nën kontroll. Mendojmë se nuk do ketë viktima, jemi besimplotë”, u shpreh Hajdari.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikësve të Tiranës dha një deklaratë për mediat, ku tregoi shkakun e nisjes së zjarrit në pallatin 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza”.

Ai u shpreh se zjarri nisi në një biznes në katin e parë të pallatit dhe fasada ndikoi në përhapjen e flakëve. Goxhaj tha se “fasada ka ndikuar në përhapjen e vatrës së zjarrit”.

Në lidhje me zjarrin që përfshiu kompleksin e banimit reagoi edhe opozita. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi situatën si “dramatike”.

Tabakut shtoi se “për sa kohë nuk zbatohen standardet, për sa kohë siguria në ndërtim dhe në punime trajtohet si formalitet, jeta e qytetarëve mbetet në rrezik. Kjo është e papranueshme”.

“Institucionet përgjegjëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës, duhet të veprojnë menjëherë. Duhet të nisin kontrolle të plota dhe të thelluara në çdo godinë që ka marrë leje ndërtimi dhe në çdo projekt që është në zhvillim. Siguria nuk mund të lihet në dorë të rastësisë”, tha ajo.

Tabaku gjithashtu vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe të zjarrfikësve, të cilët vepruan me profesionalizëm dhe guxim për të shpëtuar jetë njerëzish.

1 nga 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›