E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijojne kerkimet per gomonen e zhdukur ne Otranto

Vijojnë kërkimet për gomonen e zhdukur me 27 persona të dyshuar si klandestine në Otranto. Shefqet Bruka, drejtor i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale në Durrës pohon se ujërat detare po mbahen nën monitorim dhe se po vazhdojnë kërkimet me helikoptere dhe një anije të rojes bregdetare, në pritje të marrjes së një sinjali pozitiv. Sipas Brukës, operacioni i kërkim shpëtimit ka nisur tre orë pas marrjes së sinjalit nga homologët në Bari, për një gomone me klandestinë, e cila kërkonte ndihmë pasi kishte pësuar një avari. Bruka pohon se ka një sinjal që gomonia mund të jetë nisur nga zonat bregdetare të jugut të vendit tonë, por që ende nuk është konfirmuar. Sipas të dhënave që qendra operacionale detare ka marrë nga pala italiane, mësohet se personi që ka kërkuar ndihmë fliste shqip. Lajmi për zhdukjen e 27 personave në afërsi të kanalit të Otrantos u bë publik ditën e djeshme.
Ende nuk bëhet e ditur shtetësia e personave që ndodheshin në të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›