Vijojnë tensionet mes Kinës dhe Japonisë
Kina ka anuluar të gjitha aktivitetet e planifikuara me rastin e 40-vjetorit të vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike me Japoninë.
Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua ka cituar Unionin për Miqësinë mes Kinës e Japonisë i cili ka theksuar se aktivitetet nuk do të zhvillohen në datën 27 shtator siç ishin planifikuar por në një kohë më të përshtatshme.
Tensionet mes dy shteteve janë rritur pas pretendimeve të të dyja palëve mbi ishujt e kontestuar në Detin e Kinës Lindore.
Japonia ka kontrollin mbi grupin e ishujve që i quan Senkaku. Por, pretendime territoriale ka edhe Kina, e cila i cilëson ishujt me emrin Diaoyu.
Anulimet e aktiviteteve nuk janë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme por në të dy shtetet ditët e fundit janë mbajtur protesta masive, ndërsa liderët kanë fajësuar njëri-tjetrin për rritjen e tensioneve.