Vijon beteja me flakët, avioni “Air Tractor AT-833” kryen testin e parë

Avioni zjarrfikës “Air Tractor AT-833” ka kryer testin e parë operacional në Mallakastër, duke u angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit që prej dy ditësh ka përfshirë zonën e fshatit Riban.
Avioni, i cili mbërriti në Shqipëri të marten (4 gusht), i përket kompanisë me të cilën qeveria shqiptare ka lidhur kontratë për blerjen e tre avionëve të këtij tipi. Sipas planit, këta mjete ajrore do t’i bashkohen Forcës Ajrore shqiptare në fund të këtij viti.
Burime bëjnë me dije se aktualisht avioni po operohet nga pilotët e kompanisë, ndërsa në ditët në vijim pritet t’u bashkohen edhe pilotët shqiptarë, të cilët do të trajnohen për përdorimin e tyre. Gjithashtu, në Shqipëri pritet të mbërrijë edhe një avion i dytë i të njëjtit tip. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe helikopterët e Forcës Ajrore, si dhe droni Bayraktar, i cili përdoret për zbulimin dhe monitorimin e vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, situata në Mallakastër mbetet problematike. Gjatë natës, flakët janë përhapur drejt masivit pyjor të Lofkëndit dhe fshatit Ngraçan, ndërsa terreni i thepisur, bimësia e dendur dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen e forcave në terren. Banorët që u evakuuan një ditë më parë janë rikthyer në banesat e tyre, ndërsa sipas të dhënave paraprake, zjarri ka përfshirë rreth 15 hektarë sipërfaqe pyjore. Operacioni për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve vijon.
/rtsh.al/