E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Mallakastër, Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjigjes Emergjente: Po ndërhyhet nga ajri, momentalisht nuk janë të nevojshme evakuimet

Operacioni për shuarjen e zjarrit në Mallakastër vijon me angazhimin e forcave në terren dhe me mbështetje nga ajri, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjigjes Emergjente, Ilir Hasanaj, tha për RTSH24 se zjarrfikësit janë pozicionuar pranë zonave të banuara për të mbrojtur banesat, ndërsa forcat e armatosura janë angazhuar pranë vatrës së zjarrit për të kufizuar përhapjen e flakëve.

Sipas tij, aktualisht nuk vlerësohet e nevojshme kryerja e evakuimeve, ndërsa operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit vijon me intensitet.

“Zjarrfikësit janë vendosur pranë qendrave të banuara, pranë fshatrave, ndërsa forcat ushtarake janë pranë vatrës së zjarrit për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes. Po punohet edhe nga ajri. Nuk janë bërë evakuime, por dje evakuuan rreth 20 familje për arsye sigurie dhe u rikthyen pas disa orësh”, tha Hasanaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›