E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon çlirimi i hapësirave publike pranë shkollave për të garantuar sigurinë e nxënësve – Rama publikon pamje nga ndërhyrjet në Shkodër

Procesi i lirimit të hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet pa leje po vijon në të gjithë territorin e vendit, si pjesë e nismës kombëtare të nisur në korrik 2025.

Kryeministri Edi Rama publikoi të shtunën pamje nga ndërhyrjet aktuale, ku u çmontuan struktura metalike të ngritura pa leje mbi trotuare dhe rrugë publike. Në veçanti, ndërhyrjet u kryen pranë shkollave “Ndre Mjeda” dhe “Shejnaze Juka” në Shkodër, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe kthimin e hapësirës komunitetit.

“Ecim pa të shtunë e pa të dielë. Aksioni pranë shkollës ‘Ndre Mjeda’ dhe ‘Shejnaze Juka’ ku u ndërhy për prishjen e objekteve të ngritura në afërsi të tyre, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe për t’ia kthyer hapësirën komunitetit,” theksoi Rama në reagimin e tij.

Nisma, pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0”, është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror. Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.

Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 884 raste shkeljesh. Nga këto, 14 669 janë zgjidhur, ndërsa 4215 raste janë në proces shqyrtimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›