Vijon heqja e mjeteve të braktisura në Durrës

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit vijojnë aksionin për lirimin e hapësirave publike nga automjetet e braktisura.
Policia Bashkiake Durrës, në një njoftim bën me dije se të gjithë automjetet e braktisura në hapësirat publike nuk kanë vend më në qytet.
Policia Bashkiake Durrës po e vijon aksionin në terren duke bërë të mundur heqjen e çdo automjeti të braktisur, që cenon hapësirën publike dhe krijon pengesë për qarkullimin në rrugët e qytetit.
Aksioni gjithashtu do të vijojë në ditët në vazhdim edhe për automjetet të cilat kanë të afishuara tabelën “Shitet”.
Lirimi i hapësirave publike nga makinat e braktisura është pjesë e nismës së qeverisë për kthimin e hapësirave publike në shërbim të publikut.
Kjo nismë kombëtare, e cila nuk prek vetëm automjetet e braktisura, por të gjitha strukturat që kanë cenuar hapësirat publike ka nisur në muajin korrik dhe synon të përmirësojë cilësinë e jetës urbane, të rrisë funksionalitetin e bizneseve dhe të garantojë respektimin e standardeve të mikpritjes dhe shërbimit, jo vetëm në zonat turistike, por në çdo qytet e fshat të vendit.
Nisma do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për t’u siguruar që hapësirat publike i përkasin qytetarëve.
/e.i/j.p/r.e/