E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon në ditën e 116-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Qytetarët u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, në ditën e 116-të të protestave kundër investimit të planifikuar në Zvërnec.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në fjalën e tij para Kryeministrisë, profesori Lush Susaj u bëri thirrje qytetarëve, studentëve, nxënësve dhe forcave politike që t’i bashkohen protestës.

Sipas Susajt, qëndrimi pasiv i qytetarëve është një pengesë për reagimin qytetar ndaj zhvillimeve në vend.

“Ju bëj thirrje nxënësve dhe studenteve, ju lutem dilni në sheshin e lirisë për veten tuaj. Çlirohuni dhe dilni në sheshin e lirisë. I bëj thirrje forcave politike, ata që nuk e kanë lyer fytyrën në korrupsion, dilni në sheshet e lirisë dhe përbuzni sistemin autokratik të partive që masakruan Shqipërinë”, tha Susaj.

Edhe në protestën e sotme, një pjesë e mesazheve janë përcjellë përmes pankartave të mbajtura nga protestuesit. Në to kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe shprehet kundërshtimi ndaj qeverisë.

1 nga 13

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›