E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon rënia e importeve dhe konsumit kombëtar

Tregtia Gjatë shkurtit erdhën 28 milionë euro mallra më pak në dogana

Shqipëria importoi 230 milionë euro mallra gjatë muajit shkurt, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2007, bëhet e ditur nga statistikat e tregtisë së jashtme që u publikuan dje nga Banka e Shqipërisë. Në shkurt 2009 qenë importuar 258 milionë euro mallra, ndërsa në shkurt 2008 qenë importuar 266 milionë euro.

Rënia e importeve ka filluar që nga viti i kaluar, por ritmi i rënies duket se po rritet. Për muajt janar dhe shkurt të këtij viti, u importuan gjithsej 446 milionë euro mallra me rënie 7 për qind në krahasim me vitin 2009 dhe rënie 14 për qind në krahasim me vitin 2008.

Rënia e importeve pasqyron nivelin e kërkesës së brendshme në ekonominë shqiptare dhe konsiderohet si shenjë e varfërimit të përgjithshëm të popullatës. Por nga ana tjetër, rënia e importeve në rastin e Shqipërisë paralajmëron edhe për krizë në financat publike, pasi qeveria shqiptare siguron 70 për qind të të ardhurave të veta nga tatimi i mallrave të importuara. Qeveria i ka varur shpresat te përmirësimi i ekonomisë dhe rritja e importeve për të siguruar të ardhurat e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e veta të domosdoshme si paga, pensione e interesa borxhi. Të dhëna të pjesshme tregojnë se të ardhurat e qeverisë si në tatime ashtu edhe në dogana, kanë pësuar rënie apo janë në të njëjtin nivel me një vit më parë. Qeveria ka planifikuar shpenzimet e veta bazuar në skenarin e rritjes së të ardhurave tatimore. Në këto kushte, e vetmja mënyrë për mbulimin e shpenzimeve të qeverisë, është rritja e mëtejshme e borxhit publik, i cili sakaq është shumë i lartë.

Eksportet vijojnë rritjen

Nga ana tjetër, eksportet po përjetojnë një periudhë shumë të mirë këtë vit për shkak të rritjes së çmimit të naftës së Patos-Marinzës që eksportohet në Itali, si dhe shirave të bollshëm që kanë shtuar eksportet e energjisë elektrike. Sipas të dhënave të BSH, gjatë shkurtit Shqipëria eksportoi 81 milionë euro mallra, me rritje 37 për qind kundrejt shkurtit të vitit 2009. Ky është niveli më i lartë i eksporteve mujore të Shqipërisë të regjistruar që nga shtatori 2008. Por rritja e eksporteve u dedikohet fenomeneve kalimtare si situata e mirë hidrike në hidrocentrale dhe nuk është e qëndrueshme. Eksportet më të rëndësishme të Shqipërisë, veshjet dhe këpucët, vijojnë të vuajnë pasojat e krizës ekonomike botërore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›