E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shëndetësore, mbi 3.4 për qind të pagës

Shefat e shërbimeve dhe Komisioni parlamentar i Shëndetësisë kërkojnë më shumë investime në shëndetësi

Ndryshime të mëdha pritet të bëhen këtë vit në sistemin shëndetësor. Sipas strukturave mjekësore, drejtuese apo pjesëmarrëse në këto iniciativa, puna për realizimin e këtyre po vendoset në shina. Por ndryshimet, propozimet dhe kërkesat po shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Ashtu sikundërse drejtuesit e spitaleve, Ministria e Shëndetësisë kërkon nga shefat e shërbimeve dhe punonjësit e shëndetësisë të zbatojnë rregullat me rigorozitet, ashtu edhe punonjësit më të lartë të qendrës spitalore “Nënë Tereza” kërkojnë ndryshime, në dobi të mbarëvajtjes së punës. Konkretisht, dje përfaqësuesit e komisionit parlamentar, me në krye Tritan Shehun, kanë kërkuar nga përfaqësuesit e komisionit të marrin parasysh propozimin për rritjen e masës së pagesës për sigurimet shëndetësore. Kjo do të thotë se kërkohet rritja e pagesës për derdhjen e kontributeve shëndetësore, si dhe shtrirjen e skemës, duke përfshirë më shumë kontribuues në të.

Propozimi

Sipas Mihal Tases, shef shërbimi në repartin e sëmundjet interne, rëndësi ka skema e sigurimeve shëndetësore.

“I rëndësishëm është zgjerimi i skemës së sigurimeve, pra që numri i atyre që paguajnë të jetë më i madh, në mënyrë që shërbimet t’i përfitojnë falas. Por një tjetër pikë e rëndësishme është edhe rritja e kësaj pagese. Jemi vendi që paguajmë më pak për shëndetin, vetëm 3.4 për qind”, ka pohuar Tase. Ndërkohë, shefi i shërbimit të Kardiologjisë, Artan Goda, ka propozuar që investimet në sektorin shëndetësor të shkojnë aty ku janë edhe pikat më të nxehta të tij. Sipas Godës, spitali të shihet si ent publik, ku të ketë buxhetin e vet. Një tjetër pikë e rëndësishme e theksuar në këtë takim ka qenë edhe stimulimi që duhet t’i bëhet personelit shëndetësor, por ky të jetë i diferencuar sipas punës që ata kryejnë.

Kreu i komisionit parlamentar, Tritan Shehu, ka pohuar se baza ligjore me të cilën po punohet është shumë e realizuar, por duhet të ketë zbatim të saj. “Jemi këtu për të rritur bashkëpunimin në fushën e menaxhimit spitalor, për të parë problemet që keni ju sot, por edhe për të ndërhyrë aty ku duhet. Ju jeni e vetmja qendër spitalore kuruese dhe edukative në vend, ndaj edhe vëmendja më e madhe duhet të jetë këtu”, ka pohuar Shehu.

Takimi

Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e spitalit “Nënë Tereza”, deputetët kanë kërkuar mendime dhe propozime që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka pohuar se prioritet mbetet zbatimi i sistemit të referimit, hartimi i protokolleve të mjekimit dhe kostove të shërbimeve.

“Ajo që ne duam të bëjmë është përfundimi i protokolleve të mjekimit gjatë këtij viti dhe më pas nxjerrja e kostove të shërbimeve, deri në koston hotelerike për ditë qëndrimi në spital. Por një tjetër pikë në të cilën ne po punojmë është përmirësimi i situatës në çdo pavijon, duke filluar nga kushtet e deri te furnizimi me barna”, ka theksuar kreu i QSUT-së, Ilir Dashi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›