Vijon shënjimi i perimetrit të sigurisë në plazhet e Himarës

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo bëri të ditur se pas përfundimit të shënjimit të perimetrit të sigurisë në plazhin publik të Filikurit, puna po vijon në zonat bregdetare të Palasës dhe Dhërmiut, në kuadër të masave për garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
Sipas Tavos, siguria e pushuesve mbetet prioritet i institucioneve përgjegjëse, ndërsa po punohet për vendosjen e kordonëve të sigurisë që përcaktojnë qartë hapësirat e dedikuara për notuesit dhe ato ku lejohen aktivitetet dhe sportet ujore.
Ai theksoi se perimetri i sigurisë nuk shërben vetëm si mjet paralajmërues, por përbën një kufi të detyrueshëm që duhet të respektohet nga të gjithë përdoruesit e mjeteve motorike ujore.
“Ushtruesit e hobive apo manovrave me mjete motorike ujore e kanë të ndaluar në mënyrë të prerë të futen brenda perimetrit të sigurisë”, u shpreh Tavo.
Kryebashkiaku i Himarës nënvizoi se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake do të jenë tërësisht të pakompromis ndaj çdo shkeljeje të rregullave, duke ftuar qytetarët dhe pushuesit të raportojnë çdo rast të lëvizjes së mjeteve ujore brenda ose pranë zonave të sigurisë.
Tavo apeloi për respektimin e rregullave të përcaktuara, si një kusht i domosdoshëm për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik në bregdetin e Himarës.
/e.i/r.e/a.f/