Vijon shpërndarja e teksteve shkollore falas në të gjithë vendin

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Në të gjitha shkollat e vendit vijon shpërndarja e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor.
Për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, do të pajiset me tekste shkollore të reja dhe falas.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “kjo është mbështetja e përvitshme e Qeverisë Shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit për fëmijët dhe familjet e tyre, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ndërsa për herë të parë librat për klasat I – V janë falas dhe të rinj”.
Kumbaro duke iu drejtuar prindërve dhe nxënësve, i ftoi ata që të shkojnë në shkollat përkatëse për të tërhequr tekstet shkollore dhe për t’u informuar mbi pikat e shpërndarjes.
Pajisja e fëmijëve me librat e rinj synon që çdo nxënës ta nisë vitin shkollor me mjetet e nevojshme për të mësuar, duke sjellë njëkohësisht më shumë lehtësi për prindërit në përballimin e shpenzimeve të fillimvitit.
Me procesin e shpërndarjes së teksteve shkollore dhe masat e reja të paralajmëruara, përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa nxënësit pritet t’u rikthehen bankave me libra të rinj dhe një sërë ndryshimesh në jetën shkollore.
/e.i/a.f/