E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon tronditja e bursave nga kriza greke

Bota Në Tiranë, euro zbret në 136.89 lekë. Dollari rritet në 105.42

Bursat në të katër anët e botës vijuan të regjistrojnë rënie, ndërsa interesat e bondeve europiane u rritën për ditën e dytë radhazi, si pasojë e frikës së përhapur mes investitorëve, se plani i FMN-së dhe BE-së për shpëtimin e Greqisë mund të dështojë të japë rezultate. Investitorët u përqendruan në blerjen e bondeve të sigurta të Shteteve të Bashkuara dhe të Gjermanisë. Tregjet, duket qartësisht tashmë se nuk janë impresionuar nga programi me vlerë 110 miliardë euro për ndihmën ndaj Greqisë, duke arsyetuar se kushtet e vendosura për Athinën mund të jenë të pazbatueshme në praktikë për shkak të shkallës së lartë të sindikalizmit dhe protestës në gjirin e shoqërisë greke. Kostoja e sigurimit të borxheve kundrejt falimentit për bondet e Portugalisë dhe Spanjës kanë vijuar të rriten, ndërsa vlera e aksioneve në këto dy vende ra me më shumë se 2 për qind.

Monedha e përbashkët europiane ra dje në 1.2928 dollarë, sipas të dhënave të agjencisë “Reuters”, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga gushti i vitit të kaluar. “Mënyra shumë e dyshimtë me të cilën u trajtua kriza greke është shkaku kryesor i rënies së euros”, komentoi një ekspert në Londër. “Unë mendoj se euro mund të ulet deri në 1.25 dollarë”.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve në tregun ndërkombëtar, dollari kushtoi dje në Tiranë 105.42 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, me rritje prej më shumë se 1 lekë në krahasim me të martën. Euro humbi 39 qindarka dhe u këmbye në mesditë mesatarisht me 136.89 lekë. Në tregun ndërbankar, rënia e euros kundrejt lekut ishte edhe më e madhe. Pasdreke u shënua kuota 135.8 lekë, gjë që mund të pasqyrohet në tregun me pakicë gjatë ditëve të ardhshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›