Kompetenca të reja për Agjencinë e Pronave të Sekuestruara
Me një vendim, Këshilli i Ministrave parashikon organizimin dhe funksionimin e ri të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. Nuk kanë kaluar as dy vjet nga themelimi i kësaj agjencie dhe duke dashur t’i përshtatet sa më mirë ligjit “Antimafia”, të dekretuar pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës, që hyri në fuqi më 24 janar të këtij viti, qeveria vendosi të ndryshojë rregullat e funksionimit të saj. Nuk ndryshon varësia, e cila edhe më parë ka qenë nga ministri i Financave, i cili propozon edhe strukturën që firmoset nga Kryeministri. Si edhe më parë agjencia drejtohet nga kryeadministratori, i cili emërohet nga ministri i Financave dhe ka një buxhet të veçantë, si pjesë përbërëse e buxhetit të Ministrisë së Financave. Ky buxhet mbulon shpenzimet për mbajtjen dhe funksionimin e Agjencisë, si dhe ato për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në përputhje me nenin 20, të ligjit “Antimafia”. Në gjashtë pikat e tjera të vendimit të qeverisë përcaktohen kompetencat e agjencisë, të kryeadministratorit dhe administratorit. Përcaktohet qartë objekti i veprimtarisë së saj, i cili pikësëpari ka të bëjë me administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës, në zbatim të ligjit nr. 10192, datë 3,12,2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Sipas vendimit kjo agjenci administron edhe pasuritë e bllokuara, të sekuestruara, në zbatim të ligjit nr. 9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, apo të tjera pasuri, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to, të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave apo me urdhër të veçantë të ministrit të Financave. Agjencia raporton për veprimtarinë e saj të paktën një herë në tre muaj, përpara komitetit këshillimor ndërinstitucional të ekspertëve për masat kundër krimit të organizuar. Në vendim përcaktohen edhe detyrat dhe përgjegjësia e kryeadministratorit të agjencisë, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e saj dhe përgjigjet e raporton, sipas dispozitave të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, përpara ministrit të Financave dhe Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për masat kundër financimit të terrorizimit. Kryeadministratori, përveçse raporton çdo 3 muaj te ministri, i paraqet gjykatës listën e ekspertëve për administrimin e pasurive. Ai është përgjegjës për përgatitjen e raporteve të vlerësimit tekniko-financiar, të cilët i paraqiten për miratim ministrit të Financave, si dhe për rezultatet e verifikimit dhe përgatitjen e dokumentacionit për kërkesat për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm, për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor.
#