E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vijon zjarri në Poliçan, Mallakastër dhe Finiq, por nën kontroll. Shuhen 18 vatra të tjera në 24 orë në vend

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat vetëm 3 vijojnë të jenë ende aktive në qarkun Vlorë, Fier dhe Berat.

Në qarkun Vlorë zjarri ka përfshirë malet mbi fshatin Dhivër, duke u përhapur mbi Cerkovicë, Llupsat dhe Shëndre, në një zonë pyjore me pisha dhe bimësi të ulët.

Në terren janë angazhuar 34 efektivë me 10 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe Dropullit, 30 forca vullnetare dhe forca nga bashkia e pyjore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetje nga ajri.

Në qarkun Berat zjarri është ende aktiv në zonën e ish-Uzinës Mekanike Poliçan, por nën kontroll. Në operacion janë përfshirë 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake dhe 1 automjet zjarrfikës me ekip të FA.

Në qarkun Fier, vatra është aktive në fshati Lofkënd, Bashkia Mallakastër, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe ka pasur përhapje të shpejtë për shkak të erës. Ekipet janë në terren dhe po punojnë për ta izoluar plotësisht.

Ndërsa vijon monitorimi nga ajri dhe toka për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve, në shuarjen e tyre janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse, 314 forca Operacionale, 30 efektivë të Forcave të Armatosura me 3 automjete dhe mbështetje ajrore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›