E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarrfikësit francezë prej tri ditësh në betejë me vatrat më të mëdha të zjarrit në 80 vitet e fundit

Për të tretën ditë radhazi, flakët e zjarrit kanë mbajtur zgjuar zjarrfikësit francezë në jugperëndim të vendit, teksa 16 mijë hektarë tashmë janë shkrumbuar.

Një viktimë, tre të zhdukur dhe dhjetëra shtëpi të djegura është bilanci paraprak i zjarrit më të madh në tetëdhjetë vite, sipas vlerësimit të autoriteteve vendore.

Retë e tymit vijuan të enjten të ngrihen në qiellin e rajonit Aude të Francës Jugore, ndërsa poshtë tyre, shumica e bimësisë është kthyer në shkrumb.

“Deri tani zjarri ende nuk është vënë nën kontroll,” deklaroi Christophe Magny, një nga zyrtarët në krye të operacioneve zjarrfikëse, ndërsa shtoi se shpresa është që flakët të përmbahen deri në fund të ditës. Sipas ministres së Mjedisit, Agnes Pannier-Runacher, zjarret kanë filluan të përhaper më ngadalë tanimë.

Vatrat e zjarrit morën vrull ditën e martë dhe ndodhen rreth 100 kilometra nga kufiri me Spanjën, jo shumë larg Detit Mesdhe. Zona e prekur nga flakët llogaritet se është rreth një herë e gjysmë më e madhe se Parisi. Autoritetet thonë se ky është zjarri më i rrezikshëm që nga viti 1949.

Europa Jugore është përballur me disa zjarre të mëdha këtë verë. Muajin e fundit, flakët mbërritën në portin jugor të Marsejës, qyteti i dytë më i madh i Francës, duke lënduar rreth 300 persona. Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës e ka përkeqësuar valën e të nxehtit dhe të thatësirës në rajon, duke e bërë atë më të kërcënuar ndaj këtyre zhvillimeve natyrore.

Shërbimi meteorologjik i Francës ka paralajmëruar se një tjetër valë e nxehtë do të kalojë në pjesë të tjera të jugut të vendit nga dita e premte, e cila pritet të zgjasë disa ditë. /AFP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›