Viktima e Facebook, joshet nga një vajzë, por i dalin dy djem dhe e grabisin
Tiranë- Rrjeti social Facebook po shënon çudira në vendin tonë. Pas vjedhjes së shtëpisë së një shtetasi i cili njoftonte miqtë e tij se ndodhej për fundjave jashtë qyteti, një tjetër person është grabitur me armë duke përdorur Facebook-un.
Historia vjen nga periferia e kryeqytetit, nga Kamza. Bëhet fjalë për dy të rinj 23-vjeçarë, të dy shokë me njëri-tjetrin, Gentjan Hasanaj dhe Anxhelo Demira, të cilët kanë realizuar grabitjen nëpërmjet një profili të hapur në Facebook.
Prokurorja thotë se dy të rinjtë kishin hapur një profil me emër vajze në Facebook, me emrin Adela Zika me qëllim për tu njohur me persona të tjerë. Mes ‘viktimave” të dy shokëve ka rënë edhe 19-vjeçari Ervin Cana, i cili duke menduar se po fliste me një vajzë i ka kërkuar takime herë pas here. Dhe vajza e rremë i ka lënë takim, por në dy prej tyre ka munguar me pretekstin se nuk e linin njerëzit e shtëpisë të dilte dhe herën tjetër ishte për vizitë tek të afërmit.
Përfundimisht nëpërmjet Facebook dy djemtë që ndodhen nën akuzë për grabitje me armë i kanë lënë takim në një rrugicë pranë bulevardit ‘Blu’ në Kamëz. Pikërisht në 20 shkurt të këtij viti ‘viktimës” së tyre i cili ka shkuar në takim me një motorr dy shokët i kanë vjedhur nën përdorimin e armës, aparatin celular dhe të gjitha lekët që 19-vjeçari kishte me vete.
Të dy djemtë pasi morën masën e sigurisë arrest me burg nga gjyqtari i gatshëm do të jenë në dispozicion të prokurorisë derisa hetimet të përfundojnë.
Pak muaj me parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda preu fletë arrestet për katër persona të cilët duke përdorur si karrem një femër në Facebook, që njihej me burra të martuar, në çastet që ajo i ftonte ata në hotel, grupi i vendoste gjobë ‘viktimës’ me pretendimin se posedonin pamje filmike që do ja dërgonin më pas gruas. Këtë fat edhe ka patur edhe kallzuesi J.M, të cilit ju vendos një gjobë prej 100 milionë lekësh, ndërsa çështja është nën gjykim tek Krimet e Rënda, edhe pse të pandehurit pretendojnë se i vendosën gjobë për shkaqë vetëgjygjësie, sipas tyre.