Rinas; Ekstradohet nga Greqia, kërkohej për shfrytëzim prostitucioni
Është ekstraduar nga Greqia Julian Mingo, pasi kërkohej nga drejtësia shqiptare për “shfrytëzim prostitucioni”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.81, datë 11.04.2006, ka vendosur për 30-vjeçarin masën e sigurisë “arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”. Sipas policisë, Mingo akuzohet se në verën e vitit 1997, së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë shkuar në fshatin Liqenas, Korçë, ku banonte shtetasja K. XH., me të cilën ai kishte njohje familjare dhe përmes mashtrimit dhe përdorimit të dhunës e kanë dërguar atë në Itali, ku është shfrytëzuar prej tyre si prostitutë. Në verën e vitit 1997 Mingo ka takuar shtetasen K.Xh. dhe i ka propozuar asaj të shkonin në plazh. Pasi ajo ka pranuar dhe ka hipur në automjet, Mingo në bashkëpunim me të tjerë, i kanë mbyllur gojën dhe e kanë kërcënuar duke përdorur dhunë. Shtetasja K. XH., është mbajtur disa ditë në banesa të ndryshme në Lezhë, Durrës dhe Vlorë. Më pas, bashkëpunëtorët e shtetasit Julian Mingo, e kanë çuar atë në Itali, ku e kanë shfrytëzuar si prostitutë për rreth 8 vjet. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vazhduar procesin gjyqësor në ngarkim të tij.