E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimat kanë qenë duke luajtur kur kanë rënë në ujë

Dy fëmijë, vëlla e motër, janë mbytur në një kanal me ujë teksa po luanin jashtë shtëpisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën e Shijakut, në rrethin bregdetar të Durrësit, ku dy fëmijët janë gjetur të mbytur. Vogëlushët V. dhe A. Allamani, përkatësisht 6 dhe 4 vjeç u gjetën të mbytur në ish- kanalin vaditës të zonës, që nga reshjet e ditëve të fundit ishte mbushur plot me ujë. Vogëlushët janë gjetur nga familjarët, ndërkohë që ka qenë e kotë çdo ndërhyrje, pasi ata kishin ndërruar jetë.
Lojërat fëminore i kanë shtyrë vogëlushët drejt kanalit që ndodhet pranë shtëpisë ku jeton familja Allamani, e cila të dielën humbi në mënyrë tragjike dy nga tre fëmijët e saj. Ndërsa prindërit mendonin si të plotësonin nevojat për festën dhe kalonin sa më këndshëm në familje natën e ndërrimit të viteve dhe ditët e para të Vitit të Ri për tre vogëlushët e tyre, fatkeqësia i ka prekur në mënyrën më të pabesueshme për ta, duke marrë nga jeta njëkohësisht dy vogëlushët e tyre, 4 dhe 6 vjeç.
Dy të miturit, si zakonisht kanë dalë të luajnë, ndërsa djali i vogël ka qëndruar në shtëpi. Lojërat dhe mosnjohja e rrezikut për shkak të moshës u ka marrë dhe jetën. Mendohet se i pari që ka rënë në ujë ka qenë djali 4-vjeçar dhe e motra ka tentuar ta ndihmojë për ta nxjerrë jashtë. Pafuqia fizike ka bërë që dhe ajo të bjerë në të dhe të mbyten të dy. Fakti që përreth nuk ka pasur asnjë të rritur që t'u vijë në ndihmë ka qenë fatal për dy vogëlushët.
Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës ngjarja që ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme ka qenë aksidentale. Në vendin e ngjarjes me të marrë njoftim ka shkuar menjëherë grupi hetimor, i cili po kryen dhe veprimet e para për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik. Në fshatin ku ndodhi ngjarja fqinjët tregojnë se familja kishte pak kohë që ishte vendosur këtu e ardhur nga Manza. Prindërit e viktimave janë të papunë dhe përpiqeshin të siguronin të ardhura kryesisht mbi bazën e punës ditore. Zia ka pllakosur familjen në këto ditë të fundit të një viti që mbyllet tragjikisht. Ngjarje aksidentale: kështu deklaroi zyrtarisht policia për ngjarjen, ndërkohë që përgjegjësia duhet të bjerë mbi ata që mirëmbajnë objektet publike, siç janë kanalet e ujërave të larta dhe ato vaditëse, qofshin këto dhe jashtë funksionimit, përdorimit. Të lëna në mëshirë të fatit dhe të parrethuara ato jo rrallëherë janë shndërruar në vende fatkeqësish, veçanërisht për fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›