E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarjet tragjike detyrojnë policinë të përforcojë edhe shërbimet e qarkullimit

Rasti tragjik i djeshëm ka detyruar policinë të marrë masa ekstreme ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët ecin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtojnë mjetet nën efektin e pijeve alkoolike. Ky kontroll do të ushtrohet kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë të gjithë këtyre netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme si në qytet ashtu edhe në linja.
Në lidhje me këtë, shërbimet e Policisë së Tiranës, nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës, do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Kontrolle të shumta do të ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara dhe shumë kundërvajtje të tjera. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen për parkimet e gabuara, kryesisht parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës.
Shtimi i patrullave në rrugët kryesore është një ndër një masat e drejtuesve të policisë, duke bllokuar edhe disa segmente të veçanta. Burime nga policia thanë se eksperiencat kanë treguar për shtimin e numrit të aksidenteve gjatë festave të fundit të vitit. Punonjësit e policisë rrugore do të jenë të angazhuar në rrugët e qyteteve dhe ato nacionale gjatë gjithë kohës, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Por, bashkë me ta do të jenë edhe ata të patrullës së përgjithshme për të shmangur çdo konfrontim mes personave të ndryshëm, apo për të parandaluar ndonjë ngjarje kriminale.
Me urdhër të veçantë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këto shërbime janë shtuar dhe në turnin e natës, ku është planifikuar edhe organizimi i shërbimeve për mbikëqyrjen e rregullimin e trafikut edhe pas orës 24.00 të datës 31 dhjetor. Ndërsa për sigurimin e ndihmës për shtetasit në nevojë, drejtoritë e policisë në qarqe dhe komisariatet e policisë janë porositur të marrin masa për afishimin në vende të dukshme të numrave telefonikë të shërbimeve të sallave operative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›