Klevis Baxho dhe Arjan Petova u prangosën teksa transportonin drogën me makinë në Unazën e Elbasanit

Policia e Elbasanit ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme heroine, ndërsa çoi në qeli dy poseduesit e saj. Klevis Baxho, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje dhe Arjan Petova, 42 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për plagosje të rëndë, u arrestuan dje në kuadër të operacionit “Dhurata”, pasi përgjatë Unazës së qytetit të Elbasanit u kapën në flagrancë në mjetin me targë të huaj BA 433 LL me 2 kg e 78 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, u realizua operacioni i koduar “Dhurata”, hetimi për të cilin kishte nisur vetëm pak javë më parë. Arrestimi i dy personave të lartpërmendur u bë për arsye se rreth orës 16.00 të së shtunës, përgjatë Unazës së qytetit Elbasan, u kapën në flagrancë në mjetin me targë të huaja BA 433 LL me 2 kg e 78 gramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Klevis Baxho u gjetën dhe u sekuestruan 2 kg e 27.6 gramë pluhur ngjyrë e kuqërremtë e dyshuar për lëndë narkotike heroinë, një pistoletë me 8 fishekë, si dhe 130 mijë lekë të reja. Ndërkohë, në banesën e të arrestuarit tjetër, Arjan Petova, u gjetën dhe u sekuestruan edhe 12 mijë e 950 euro. Materialet në ngarkim të shtetasve Klevis Baxho dhe Arjan Petova iu kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda për veprën penale të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 278 të Kodit Penal. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tyre.
Gjatë këtij viti, nga antidroga, në shkallë kombëtare janë evidentuar 616 vepra penale, ku janë arrestuar 405 autorë, ndërkohë që 115 të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu, nga policia janë goditur 31 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 119 persona të proceduar penalisht. Gjithashtu, janë realizuar 26 operacione, duke zbatuar teknikat speciale të hetimit dhe 10 operacione ndërkombëtare në bashkëpunim me prokurorinë dhe autoritetet gjyqësore të vendeve të ndryshme, nga të cilat katër me Italinë, dy me Gjermaninë, dy me Zvicrën, një me SHBA-në dhe një me Kosovën.