Viktor Orban sulmon BE dhe SHBA
I konsideron të pabaza akuzat ndaj qeverisë së tij
Kritikat e BE-se dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikës mbi ndryshimet kushtetuese ne Hungari janë te pabazuara ne fakte por në një “përshtypje dhe perceptim politik”.
Kështu u shpreh Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në Bruksel, përpara një samiti të 27 liderve të BE-së.
”Kush është në gjendje që të prezantojë qoftë edhe një provë të vetme, qoftë edhe një fakt jo të plotë, të argumenteve tuaj se ndryshimet kushtetuese të propozuara nuk janë demokratike”, sfidoi Orban drejtuesit e tjerë të shteteve.
Partia ”Fidesz” e kryeministrit Orban gëzon më shumë se 2/3 e vendeve në Parlament, ndaj ka dorë të lirë ndaj ndryshimeve kushtetuese.
Amendamentet pritet të sjellin një sërë ndryshimesh në ligjin për arsimin e lartë, atë për të pastrehët, për zhvillimin e fushatës elektorale, të drejtat familjare dhe funksionimin e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese.
Paketa e ndryshimeve ligjore është konsideruar si “grushti i fundit” ndaj demokracisë së “brishtë” hungareze nga zërat e opozitës në vend dhe ka ngjallur disa reagime të ashpra kundërshtuese brenda BE-së.
Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë disa herë thirrje politikanëve hungarezë që të respektojnë institucionet e pavarura dhe parimin “check and balance”, si parimin themelor të funksionimit të shtetit demokratik.