Viktor Zhusti në rolin e një endacaku në serialin televiziv “Tingulli i heshtjes”
Viktor Zhustin do ta shohim si një endacak me mjekër të thinjur, e me fytyrë të vrarë në serialin më të ri, që sapo ka nisur të transmetohet në ekranin e “Vizion Plus”. I rikthyer në skenën shqiptare pas shumë vitesh largimi në Greqi, Zhusti luan kësaj here një rol jo të zakontë për karrierrën e tij aktoriale në këtë telenovelë me 20 seri, bazuar në ndodhi të jetës urbane. Në këtë produksion të ri luajnë aktorë të tjerë të njohur si; Margarita Xhepa, Mehdi Malkaj, Genc Fuga, Klodian Hoxha, Eriona Kakeli, Adelina Muça, Eni Jani, Lorenc Kaja, etj. Seriali është një prodhim grek, dhe Zhusti interpreton këtë rol të rëndësishëm, me të cilin ka të afërt moshën, por jo fatin. Telenovela e cila është një gërshetim i gjithë historive të jetës shqiptarë nga dëshira për të ikur jashtë, tradhtitë apo pabesitë, mendohet të zgjasë dy vite transmetim. Ky rikthim i Zhustit në skenë u komentua me bujë në media. Aktorit që jetonte prej vitesh në Greqi iu bë ftesa fillimisht nga regjisori Gëzim Kame, njëkohësisht miku i tij, për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar pas shumë vitesh mungesë me shfaqjen teatrale “Të gjithë janë me huqe”. Viktor Zhusti jetonte në veri të ishullit të Evias në Greqi. Përveç faktit që kaloi disa vite në burg atje, ai tha për mediat se asnjëherë nuk ishte shkëputur nga jeta teatrale e artistike e Athinës, të cilën e kishte ndjekur rregullisht. Pas shumë vitesh mungesë në Tiranë, tani Zhusti ka vendosur të jetë gjithnjë e më i pranishëm, duke qenë i hapur ndaj ofertave të mira në teatër ose film. Por edhe në spektakël, pasi shumë shpejt do ta shohim Zhustin si kërcimtar, si një nga sfiduesit e garës VIP “Vallëzim me yjet”, ku personazhe të njohur do të garojnë për 50 mijë euro. Bëhet fjalë për “reality show-n” më të suksesshem në ekranet botërore, dhe ku Viktor Zhusti do të përballet vërtet me një sfidë të vështirë, pasi është personazhi me moshë më të madhe në këtë garë.