E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Dakord me amnistinë fiskale

 nertila maho“Të domosdoshme dhe në kohën e duhur” e ka cilësuar kreu i Ministrisë së Financave Ridvan Bode, amnistinë fiskale. Duke iu referuar takimit të disa ditëve më parë me biznesin për këtë çështje Bode u shpreh se institucioni që ai drejton ka marrë në konsideratë opsionet dhe mendimin e një amnistie. “është një masë që është e domosdoshme dhe që kushtëzohet nga shumë elementë dhe jo vetëm për faktin që Shqipëria përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit nuk ka ndërmarrë një reformë të tillë” u shpreh ministri. Sipas tij tani edhe niveli i administrimit të tatimeve dhe taksave është në nivelin më të lartë historik që ka pasur vendi dhe në kulmin e  modernizimit të sistemit tatimor, i cili për 2010 konkludohet. Më tej ai theksoi mbështetjen e plotë ligjore që do të ketë kjo amnisti nëse do të realizohet sepse tashmë janë miratuar një sërë ligjesh që “beson se janë konturi i nevojshëm  që kërkon ndërmarrja e një hapi të tillë”. Ministri bëri me dije se edhe Qeveria po e merr në konsideratë këtë iniciativë. “Nuk mund të them që do të jetë përfundimisht “ok” por mendimin im si ministër i Financave është që një amnisti është e nevojshme dhe e domosdoshme për të relaksuar biznesin dhe për t’i dhënë një  impuls të ri investimeve dhe aktiviteteve ekonomike. Kjo sigurisht duhet të jetë kryesisht dhe vetëm në funksion të biznesit dhe aspak për vepra kriminale apo vepra të tjera që lidhem me korrupsionin” theksoi ai.Rishikimi i buxhetit 2010Ministri Ridvan Bode konfirmoi dje rishikimin e buxhetit të vitit 2010 duke u shprehur se kjo tashmë është konkretizuar me shkurtimin e 25 miliardë lekëve shpenzime të ministrive të linjës. Por ai siguroi se këto ndryshime nuk do të pengojnë realizimin e programeve kryesore të Qeverisë. “Kjo tashmë është miratuar në Komitetin e Planifikimit Strategjik dhe është bërë pjesë e një vendimi të Qeverisë për të  mundësuar shkurtimin e shpenzimeve 25 miliardë lekë, të ndara sipas ministrive të linjës dhe që reflektonin nevojën për t’u rikthyer treguesve më të qenësishëm makroekonomikë” u shpreh Bode. Sipas tij kjo prerje prej 5% e nivelit të shpenzimeve nuk do të prekë rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe nuk do të prekë as programin e investimeve publike në veprat madhore që janë tashmë në proces. Nevoja e një rishikimi nga ministri u shpjegua me ndikimin që kriza e vitit 2009 pati në ekonominë shqiptare. “Hartimi i  buxhetit të vitit 2010 u bë në një kohë kur ende ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës globale në Shqipëri ishte embrional dhe kjo u ndje në periudhën e fundit dhe sigurisht që nuk janë marrë parasysh këto zhvillime që unë përmenda dhe sidomos avancimi i objektivave të Qeverisë” u shpreh kreu i Financave. Në vazhdën e kësaj, ai theksoi se është i nevojshëm një rishikim i treguesve të buxhetit të vitit 2010 dhe njëkohësisht një korrigjim i perspektivës së viteve në vazhdim. Ndërkohë që lidhur me mbylljen e buxhetit të vitit 2009, për të cilin dje ministri referoi treguesit, u shpreh me nota pozitive për shumicën prej tyre.”Viti 2009 mundësoi ruajtjen e bazave të qëndrueshme makroekonomike për ekonominë shqiptare. Ritheksoj stabilitetin makroekonomik të vendit çka përbën një prej elementëve më premtues për zhvillimet pozitive në fushën e ekonomisë reale por edhe në financat publike edhe në vitet që vinë” theksoi Bode. Pavarësisht kësaj, ai pranoi që edhe ekonomia shqiptare u infektua nga kriza globale çka bëri që një sërë treguesish edhe pse kanë performuar më mirë se rajoni prapë mbeten modestë.Borxhi publikPër 2009-ën kostoja e buxhetit për interesat e borxhit është 3.2%. Sipas Ministrisë së Financave kjo reflekton dy fenomene, atë të rritjes së interesave në tregun rajonal dhe evropian nga shërbehemi, por njëkohësisht dhe rritjen në një farë mase të nivelit të borxhit total publik në vlerë simbolike.Ndërkohë që duke u kthyer te buxheti i 2009-ës nga 32% e PBB që përbën ky i fundit vetëm 4.4% është huamarrja e re. Sipas Bodes huamarrja prej 4.4% është në nivelet më të ulëta që ka pasur ekonomia shqiptare në vite. Lidhur me borxhin në total dhe mënyrën si ka evoluar ai në vite vihet re një rritje e moderuar gjatë vitit 2008-2009. Kjo justifikohet me faktin që kursi i këmbimit të monedhës vendase me euron, e cila përbën pjesën dërmuese të borxhit tonë publik, ka detyruar një rritje artificiale prej 2 pikë % krahasuar me PBB. Investimet publike Gjatë 2009-ës, sipas Financave, në drejtim të Komunave dhe Bashkive janë akorduar 9 miliardë lekë të reja në formën e granteve konkurruese më synimin e investimeve publike. “Investimet përbëjnë elementin më të dukshëm të rolit aktiv që luajti buxheti i shtetit gjatë vitit 2009 dhe u përdor si instrument i nxitësve fiskalë për të mbajtur lart kërkesën në treg dhe një ritëm pozitiv në rritjen e ekonomisë shqiptare” tha Bode. Sipas tij këto investime të zhvilluara në harkun e gjysmës së parë të vitit në pjesën dërmuese, ndihmuan që goditja më e fortë e krizës të përballohet me një rol tepër agresiv dhe aktiv të financave publike duke mbështetur  programin e investimeve publike në infrastrukturë.”Për 2009 ne kemi ruajtur të  njëjtin vëllim të investimit publik me një shtesë prej rreth 500 milionë lekë më shumë nga viti 2008 në programin e investimeve publike” u shpreh Bode.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›