E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjytyrymët, ulokët dhe të ndenjurat!

“Mbillet gjuha nëpër kafe! Dita nis, e unë, sikur s’kam fjetur kurrë!”

Koha, ikën apo vjen?!

I vetmi mekanizëm që dëshmon lëvizjen e kohës dhe e bën atë të ketë një proces dinamik janë akrepat e sahatit! Por, nëse për një çast do ta manipulonim këtë mekanizëm, siç mund të ketë ngjarë rëndom në jetën e kujtdo për një arsye apo për një tjetër, a do ta shndërronte ky fakt kohën në një “gjytyryme, uloke të ndenjur”?!

Zakonisht, të gjitha skadencat shoqërohen nga një kolonë zanore apo nga datat e shkruara, duke e shndërruar gjithçka në të përkohshme. Përkohshmëria vërtet është e dhimbshme, por nga ana tjetër është shumë e shëndetshme. Përkohshmëria e gjithçkasë prodhon një gjithçka të re. Por, ajo që është e pavarur nga koha dhe mbetet në dorë vetëm të arsyetimit, është pasiguria nëse e ardhmja vetvetiu do t’ia dalë të prodhojë një pasardhëse më të mirë se e kaluara e vet apo… !?

Duke qenë në dorë të arsyetimit kjo punë, varet nga këndvështrimi i arsyetuesit. Ndaj dhe, me gjithë pakundërshtitë përballë së cilave ndodhet universalisht individi, influencën më të madhe në mendjen njerëzore e ka shoqëria që e rrethon dhe rregullat, të cilave duhet t’i nënshtrohet…. “ARSYETUESI”.

Mirëpo në Shqipëri rregullat nuk vlejnë njëlloj për të gjithë, ndaj dhe për pasojë arsyetuesit, disa prej tyre të panikuar nga koha që ikën e disa të tjerë nga ajo që do të vijë, e kanë të pamundur të ndjekin dinamikën e lëvizjes së kohës, pasi shumë prej tyre kanë zhdukur bateritë e çdo sahati duke e mbajtur akrepin peng të një “12”- te gjytyryme, uloke të ndenjur. Ndërsa disa të tjerë e kanë tejkaluar kohën, aq sa t’u përkasin shekujve në vijim!

Megjithëse ekstremisht liberale, (cilësi që ia njoh vetes si virtyt), nuk mundem dot të toleroj çdo lloj shkëputjeje nga çdo lloj sensi. Disa sense edhe mund t’i humbasin njeriut çast pas çasti, por, të rrosh pa sensin e kohës, ose më mirë të themi, të rikrijosh një kohë të volitshme, kjo është fatale!

Shembujt janë të qartë! Të humburit në vorbullën e ngatërrimit të harresës me kujtesën dhe të së shkuarës me të ardhmen janë fare të dukshëm. Janë aq publikë sa prania e WC-ve publike nëpër kryeqytete evropiane! Dalin çdo ditë nëpër ekrane. Shfaqen çdo ditë nëpër gazeta dhe shtojca gazetash të shndërruara në gromësima mejhanesh!

Shembujt janë drejtuesit e Shtetit. Të ndenjurat mbi karriget e Parlamentit. Qeveritë Lokale. Qeveritë Kryeministrale. Çdo hap që hidhet mbi kët’ dhé dëshmon mbi paqëndrueshmërinë e vetëm një kohe, të vetme, dhe, mbi lirinë paradoksale të këtyre kohëve që të bashkëjetojnë të lumtura si pengje të njerëzve, si dhe nën influencën e njëra-tjetrës. Për të qenë pak më konkrete; nëpër pallate njerëzish rrojnë kafshë. Nëpër qytete ngrihen katune dhe nëpër katune qytete. Nëpër fytyra njerëzish zhgarraviten maska, ndërsa mbi maska fytyra njerëzish. Automjetet kanë lirinë e të hipurit mbi trotuar, ndërsa paraplegjikët ndëshkohen nga vetë shteti për mjetin e tyre pa shasi, duke u detyruar të rrezikojnë jetën buzë trotuarit të lartë e të paharkuar edhe për ta, teksa nxitojnë të kapin kohën përmes rrotave të karrocave, e të mos mbeten në vend numëro. Edhe pse hapat për ta janë pothuajse e pamundur të hidhen falë indiferencës së pushtetarëve!

Ndërsa gjytyrymët, ulokët e vërtetë, të cilëve të ndenjurat nuk iu ngrihen dot prej kolltukëve të abuzimit, ngrenë Saraje Këmbësh mbathur me Firmato, mbathur nga disa goxha këmbë Deformato!

Koha është peng! Alarm! Koha mbahet peng në Shqipëri!

Nga sot, çdo të shtunë në gazetën “TemA”, opinion nga Inida Gjata, Zhaku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›