E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, në dorë të lojtarëve të rinj vendës

Nga Elton Karaj

Drejtuesit verdheblu kanë vendosur ta minimizojnë numrin e jabanxhinjve në skuadër, duke investuar më shumë tek talentet e tyre

Lojtarët e rinj të Elbasanit vazhdojnë të stërviten, edhe pse kampionati ka përfunduar prej disa ditësh. Janë pikërisht këta lojtarë, të cilët u paraqitën mirë sezonin e fundit dhe shihen me një sy tjetër, pasi pritet të jenë e ardhmja e skuadrës verdheblu. Stafi teknik nuk e ka ndërprerë punën me këtë grup lojtarësh, që premton shumë për të ardhmen.

Eshtë vërtet një brez shumë i mirë, ku dyshja File-Dosti do të mbështet për të synuar kthimin e Elbasanit në Superligë. Gjatë periudhës kur kjo skuadër doli kampione dhe nënkampione në Superligë, shumë pak u mendua për sistemin zinxhir, por tashmë të gjithë e kanë të qartë se kjo është një hallkë shumë e rëndësishmee klubit. Për këtë arsye, drejtuesit verdheblu po u kushtojnë vëmëndjen e duhur moshave, me qëllim që të përfitojnë futbollistë të talentuar, që Elbasanit nuk i mungojnë.

Zbatimi i kësaj strategjie nisi sezonin e fundit, kur në formacion janë aktivizuar 6 lojtarë të rinj. Të gjithë e kanë kuptuar se, për të pasur një të ardhme të sigurt, duhet të investojnë pikërisht tek të rinjtë. Pikërisht këtë plan po vënë në zbatim drejtuesit e Elbasanit, pasi nuk mund të ndërtojnë një skuadër nga e para çdo vit, duke afruar apo larguar një formacion të tërë përnjëherësh.

Sezonet e fundit kanë qenë një zhgënjim i madh dhe kjo ka ndodhur edhe për faktin se të paktë kanë qenë vendësit, të cilët e ndjejnë peshën e fanellës, ndryshe nga jabanxhinjtë, që janë më të interesuar për lekët. Eshtë një plan i përkrahur edhe nga tifozët verdheblu, të cilët presin të shohin një Elbasan që të kryesojë renditjen në Kategorisë së Parë sezonin e ardhshëm.

Elbasani i së ardhmes është në dorë të të rinjve të dalë nga shkolla e tij, disa prej të cilëve, duke qenë një vit më të pjekur, do ta çojnë këtë skuadër në elitë, aty ku i takon të jetë gjithmonë.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›