E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vila e Zogut, pronë shtetërore

Dokumentet që vërtetojnë se rezidenca në Durrës u ndërtua me fonde publike
Sipër qytetit të Durrësit, në majë të kodrës mbi Kala, qëndron prej gati 80 vjetësh një godinë e madhe, që durrsakët i thonë Vila e Zogut. Shqiptarët, që përgjithësisht mbështeten më shumë te rrëfenjat e gjyshërve sesa te dokumentet, e kanë trajtuar atë gjithmonë si pronë të ish-mbretit Zog, ndaj edhe kur Komisioni i Kthimit të Pronave, me urdhër të Kryeministrit Berisha, ia ktheu atë Leka Zogut, atyre iu duk sikur thjesht dikush që po merrte pronën e vet. Por nga analiza e dokumenteve, rezulton se kjo godinë është ndërtuar nga shteti shqiptar me fonde publike, si rezidencë qeveritare.Historia fillon në vitin e largët 1925, kur Zogu i posashpallur President i Republikës, i gjendur ngushtë për pará iu drejtua Italisë. Në datë 26.05.1925, midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Italiane, u lidh Konvencioni “Mbi Huan për Punët Botore të Shqipërisë”, në shumën prej 50 milionë franga ari, me kushte favorizuese dhe me interes të ulët. Fondet e kësaj huaje do të menaxhoheshin nëpërmjet një komisioni të përbashkët, me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe të një Agjencie mbikëqyrëse e quajtur “Societa per lo Svilupo Economico del Albania (SVEA)”, me qëllim që ato të mos keqpërdoreshin. Pas kësaj, nëpërmjet diskutimeve dypalëshe dhe disa vendimeve të Qeverisë, u përcaktua lista e objekteve publike që do të financoheshin me këto fonde. Në këto objekte përfshihej ndërtimi i disa akseve rrugore kryesore, ndërtimi i disa urave, porteve, veprave bonifikuese etj. Gati të gjitha veprat publike të atyre viteve u ndërtuan me fondet e kësaj huaje që, nga ana tjetër, nuk iu kthye kurrë italianëve.
Më pas, në qershor të vitit 1927, u vendos në parim që në këtë kredi të përfshiheshin edhe ndërtimi i një numri godinash qeveritare, ushtarake etj. Kështu, me VKM nr. 179, dt. 16.06.1927, u vendos, ndër të tjera, edhe financimi i “Rezidencës Presidenciale në Durrës”. Duhet të kemi parasysh se në kushtet e atëhershme, shteti dhe administrata gjendej në ngushticë shumë të madhe për godina qeveritare dhe shumë ministri ishin sistemuar nëpër objekte private ku qëndronin duke paguar qira.Një muaj më pas, në korrik 1927, me një vendim qeverie u vendos “financimi i Vilës Presidenciale në Durrës, nga fondet e ndërtesave të parapame me Huan (50 milionëshe) me shumën 335.000 fr. ar”. Nga dokumentet rezulton se menjëherë pas këtij vendimi, më 31.07.1927, kjo shumë u është likuiduar ndërmarrjeve që ndërkohë i kishin kryer punimet e ndërtimit në Vilë. Në një farë mënyre, punimet ishin kryer ende pa u çelur fondet, siç do të thoshim me terminologjinë e sotme.
Më pas, Parlamenti shqiptar miratoi edhe një ligj të veçantë për të ligjëruar këtë rrugë financimi, mbi bazën e të cilit në vitin 1928, midis Ministrisë së Punëve Botore dhe ing. Silvestro Raia lidhet kontrata: ”Për ndërtimin dhe Kompletimin e Vilës Presidenciale në Durrës, punim për t’u kryer me Huan 50 milionëshe”. Kjo kontratë e firmosur nga Ministri i Punëve Botore në cilësinë e investitorit dhe nga përfaqësuesi i firmës në cilësinë e sipërmarrësit, parashikonte një investim aforfe prej 485.000 fr. ar, të cilat do të saktësoheshin sipas preventivave.
Meqenëse këto fonde nuk mjaftuan për ndërtimin e godinës, më pas me vendime të tjera qeverie janë shtuar shuma të tjera, si për shembull me VKM nr. 598, dt. 15.09.1928, u vendos një shtesë kontrate prej 35.860 fr. ar apo me VKM nr. 846, dt. 19.09.1929, u vendos një financim shtesë prej 174.500 fr. ar.
Ky proces, por me shuma më të vogla vazhdoi edhe në vitet ’30, duke lidhur kontratat përkatëse sa herë ka qenë e nevojshme të bëheshin punime shtesë apo investime të reja në këtë objekt. Dy kontratat e fundit për punime i përkasin:E parafundit është kontrata dt. 04.11.1937 midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 3.900 fr. ar. Historikisht këto punime duhen lidhur me përgatitjet për festimet e 25-vjetorit të Indipendencës. Hera e fundit që për Vilën e Durrësit janë dhënë fonde publike, ka qenë Shtojcë-Kontrata dt. 06.04.1938, gjithashtu midis Ministrisë së Punëve Botore, e përfaqësuar nga Kryeministri dhe Sipërmarrjes Pellegrini, për shumën prej 4.500 fr. ar. Historikisht këto punime lidhen me përgatitjet e ceremonive të martesës së Mbretit.
Gjithsej mund të thuhet se për financimin e ndërtimit dhe pajisjes me mobilie të Vilës së Durrësit, janë investuar mbi 1.5 milionë franga ar, shumë kjo e barabartë me ndërtimin e secilës prej godinave që përbëjnë kompleksin e ministrive në Tiranë, edhe këto të ndërtuara ngjatë të njëjtës periudhë dhe gjithashtu me fonde nga kredia SVEA. Në dokumentet e hershme, vila përcaktohet si “Vila Presidenciale”, pasi Zogu ishte President i Republikës, ndërsa pas vitit 1928, me shpalljen e Monarkisë, ajo përcaktohet si “Vila Mbretnore”.
Në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin e Ndërtimit, përveç sa më sipër, ekziston një dokumentacion tjetër shumë i gjerë që përshkruan hap pas hapi punimet e bëra, financimet, diskutimet në komisionin miks italo-shqiptar, faturat e likuidimit të pagesave etj. Gjithashtu ky dokumentacion përmban edhe shumë dokumente, ku është kërkuar transferim fondesh nga një vepër publike (ura, rrugë) drejt financimit të ndërtimit të Vilës së Durrësit, me argumentimin se kemi të bëjmë me transferim nga një vepër publike drejt një vepre tjetër publike.
Të gjitha këto nuk lënë vend për dyshim se kemi të bëjmë me rastin klasik dhe tipik të financimit të një objekti me destinacion publik dhe me fonde publike. Procedurat e ndjekura janë shumë të qarta dhe janë pak a shumë ato që ndiqen ende sot në financimin e çdo vepre publike me fonde shtetërore.
I vetmi problem formal i mbetur, ishte fakti që deri në fund, Vila e Durrësit mbeti e paregjistruar në zyrën e hipotekës në emër të shtetit, por ky nuk përbënte një rast të izoluar, pasi shumica dërmuese, në mos të gjitha objektet shtetërore ekzistuese apo të ndërtuara gjatë periudhës 1920-1939, nuk janë regjistruar aso kohe (dhe në shumë raste ende sot) në zyrat përkatëse në favor të shtetit. Kjo ishte, në një farë mënyre, një reminishencë e traditës juridike osmane, sipas së cilës gjithçka që nuk ishte e një privati, ishte automatikisht pronë e shtetit, gjë që e bënte të panevojshëm regjistrimin. Gjatë periudhës 1920-1939, të vetmet prona shtetërore që ndodhte të regjistroheshin në hipotekë, ishin ato që fitoheshin me sekuestro ose me blerje, pasi në këto raste heqja e pronës nga pronësia e dikujt, shoqërohej automatikisht me transkriptimin në favor të shtetit.Duhet thënë se ekziston një variant i folur, sipas të cilit Vila e Durrësit ka qenë dhuratë e tregtarëve të Durrësit për Presidentin e Republikës. Kjo legjendë e ka burimin në gazetat e kohës të viteve 1926 dhe 1927, pra kur vila nuk ishte ndërtuar ende. Në fakt, ka ekzistuar një nismë e një grupi tregtarësh për një gjë të tillë dhe për këtë u ngrit edhe një komision dhe u mblodh edhe një fond fillestar, por modest dhe kjo gjë bllokoi procesin e ndërtimit të Vilës. Pas kësaj, çdo gjë vazhdoi nëpërmjet fondeve publike, por legjenda e dhurimit mbijetoi megjithatë në cilësinë e një legjende urbane.
Për sa i përket pronësisë së truallit të godinës, çështja është edhe më e ndërlikuar dhe shtrihet edhe më thellë në kohë, por pa qenë asnjëherë as e pretenduar nga Ahmet Zogu dhe as e regjistruar ndonjëherë në emër të tij. Trualli i godinës kontestohet midis të qenit pronë shtetërore, pronë e Esat pashë Toptanit dhe pronë e familjes Xhumurteku. Kjo, për faktin se gjithnjë mbi bazë të dhënash të paqarta, trualli duhet të ketë qenë pjesërisht pronë shtetërore dhe pjesërisht pronë e familjes Xhumurteku. Në vitin 1914, pas largimit të Princ Vidit, Senati i Durrësit ia sekuestroi kësaj familjeje dhe ia kaloi Esat pashë Toptanit (që ishte kryetari kësaj qeverie fantazmë), me qëllim ndërtimin e një vile për të. Ky operacion mbetet shumë i dyshimtë, për vetë faktin e legjitimitetit të cunguar të këtij organizmi.
Sidoqoftë, në vitin 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, pas vrasjes së Esat pashë Toptanit, vendosi sekuestrimin dhe kalimin në favor të shtetit të të gjitha pronave të tij, kështu që edhe nëse do të quhej legjitim sekuestrimi i parë, ky sekuestrim i mëpasëm e kaloi atë truall tërësisht në pronësi të shtetit. Megjithatë, pavarësisht nga i gjithë ky arsyetim, trualli asnjëherë dhe në asnjë kohë (përveç momentit aktual) nuk ka qenë i pretenduar nga Ahmet Zogu.
Viti 1939 është vit i një kthese të papritur në historinë e shtetit shqiptar. Më 7 prill të atij viti, trupat italiane zbarkojnë në portet shqiptare, ndërsa Zogu pa organizuar qoftë edhe një rezistencë formale ushtarake, u largua nëpërmjet Kapshticës në Greqi.
Pas instalimit të administratës së re, Shqipëria formalisht ruajti statusin e një mbretërie të pavarur përmes procedurës së “bashkimit personal” dhe ofrimit të kurorës mbretërore Mbretit të Italisë Viktor-Emanueli III, që tani u bë edhe Mbret i Shqipërisë. Funksionet si kryetar i shtetit ai i kryente përmes Mëkëmbësisë së Përgjithshme të kryesuar nga Francesko Jakomoni, deri atëherë ambasador i Italisë në Tiranë. Me Dekret Mëkëmbësor, dt. 02.06.1939, vendoset sekuestrimi në favor të shtetit i të gjitha pronave të luajtshme dhe të paluajtshme, “të qytetarëve që kanë zhvilluar në çdo mënyrë aktivitet në kundërshtim me interesat e larta të Kombit”. është ironi e fatit fakti që ky Dekret dilte si vazhdim i Ligjit dt. 29.12.1925, që bënte fjalë për sekuestrimin e pasurive të armiqve të shtetit, ligj ky i miratuar dikur nga vetë Zogu.
Pas daljes së këtij Dekreti Mëkëmbësor dhe bazuar tek ai, me dekrete të veçanta të Ministrit të Drejtësisë, u bë ekzekutimi i tij për pronat e Ahmet Zogut dhe të familjarëve të tij. Këto dekrete, në nenin e fundit të tyre, urdhëronin zyrat përkatëse të hipotekës të bënin transkriptimin në favor të shtetit të këtyre pronave. Më pas, një pjesë e tyre kaloi për funksione publike dhe një pjesë tjetër iu dhuruan Kryqit të Kuq Shqiptar. Me Dekret të Ministrit të Drejtësisë, nr. 66, dt. 06.09.1939 është vendosur: “Sekuestrimi i një ndërtesë e madhe e përbame prej 20 dhomash e ndodhun në Durrës dhe e destinueme për Vilë Mbretnore e kufizueme në të katër anët me tokë shtetnore”. Në këtë dekret nuk përmendet fare sekuestrimi i truallit, i cili ishte ndërkaq pronë shtetërore e transkriptuar vite më parë si e tillë. Fakti që kjo pronë në dekret cilësohet e rrethuar nga të katër anët me truall pronë shtet, e tregon qartë këtë gjë.
Pyetja që del është: Nëse edhe vila ishte pronë shtetërore, atëherë pse është përfshirë në pronat e sekuestruara Ahmet Zogu? Një pjesë të përgjigjes e jep vetë vazhdimi i Dekretit në fjalë, i cili thotë: “Ndërtesa e shënueme, me nr. 3 të këtij Dekreti, nuk është e rregjistrueme në Zyrën e Ipothekave të Durrësit” dhe vazhdon: “Urdhëron Zyrën e Ipothekave të Durrësit me transkriptue sekuestrimin e bamë”. Meqenëse administrata e re shqiptare kërkonte që edhe pronat shtetërore të paregjistruara deri atëherë të regjistroheshin në hipotekë, veprim ky që nuk mund ta bënte vetë hipoteka me nismë të vet, ndaj për këtë u shfrytëzua ky rast që, nëpërmjet dekreteve sekuestruese, të urdhërohej edhe transkriptimi i pasurive shtetërore ende të patranskriptuara në favor të shtetit.
Një tjetër argument në këtë drejtim është edhe fakti se ndër dhjetëra pasuri të ndryshme që iu sekuestruan Ahmet Zogut në atë periudhë, ato që ishin realisht prona private të tijat, ekzistonin të transkriptuara në emër të tij në regjistrat e hipotekës nëpër qarqe të ndryshme (Tiranë, Durrës, Mat etj.), ndërsa pronat publike që ai i përdorte në cilësinë e kryetarit të shtetit, por që ishin pronë shtetërore, si në rastin e Vilës së Durrësit, nuk ishin të transkriptuara.
Ky është pak a shumë historiku i ndërtimit të Vilës së Durrësit, e cila pas lufte vazhdoi të përdoret si rezidencë qeveritare, deri sa në ditët e çmendurisë kolektive të marsit 1997, ajo u bastis dhe u grabit në mënyrën më barbare. Kjo gjendje vazhdoi derisa Berisha, në nevojën e afrimit të çdo vote të mundshme në koalicionin qeverisës të pas zgjedhjeve 2005, u përpoq dhe me sukses, të joshte legalistët nëpërmjet kthimit të pronave familjes mbretërore. Pa hyrë në analizë politike të këtij veprimi, sidoqoftë nuk kishte asnjë arsye që ky kthim të përfshinte edhe prona që ishin të ndërtuara nga shteti shqiptar me fonde publike. Sidoqoftë, Komisioni i Kthimit të Pronave të Durrësit pa u thelluar fare në prova dhe veçanërisht pa njohur asnjë prej provave që demonstronin se Vila ishte ndërtuar nga shteti, vendosi kthimin e vilës, godinave përreth si dhe të truallit.
Duhet të kemi parasysh se i vetmi dokument mbi të cilin është mbështetur vendimi, është Dekreti i Ministrit të Drejtësisë i shtatorit 1939, i cili flet për sekuestrimin e Vilës, por siç e shpjeguam, këtë e bën me qëllimin që të urdhëronte hipotekën të bënte regjistrimin e saj në favor të shtetit. Vendimi i kthimit të pronës, në mënyrë abuzive kthen edhe truallin e vilës, truall për të cilin dekreti i sekuestrimit as që bën fjalë fare, pasi në kohën e sekuestrimit, trualli ekzistonte i transkriptuar prej vitesh në favor të shtetit. Në të gjitha dekretet e sekuestrimit, kur trualli ka qenë pronë private, ai është shënuar veçan ashtu siç është edhe procedura normale edhe aktualisht në raste shitblerje godinash dhe ku statusi i truallit specifikohet veçan. Nga leximi i Vendimit të kthimit të pronës, nuk kuptohet se në ç’mënyrë e ka përcaktuar Komisioni sipërfaqen prej 5081,48 m2, të cilën e ka trajtuar, pasi Dekreti i sekuestrimit flet vetëm për godinën dhe nuk përmend asnjë sipërfaqe.Le ta trajtojmë çështjen në rrugën e kundërt. Nëse për ndonjë arsye, ligjvënësi në vitin 1939 nuk do ta kishte përfshirë Vilën e Durrësit në Dekretin e Sekuestrimit, familja Zogu sot nuk do të kishte asnjë dokument provues që ajo pronë ka qenë e Ahmet Zogut, pasi i vetmi dokument ku ata mbështeten për të provuar pronësinë, është provë indirekte.
Për vetë faktin e traditës së varfër shqiptare në këto fusha, edhe konfuzioni që lind duket i natyrshëm. Duhet të bëjmë një dallim të qartë midis pronave private të Mbretit dhe pronave të Kurorës. Pronat private janë ato të trashëguara familjare apo të realizuara nëpërmjet të ardhurave ligjore personale Roga, dhurata etj.), që në terminologjinë juridike quhen “Lista Civile” (term që përdoret edhe sot në vendet me sistem monarkik). Prona të kurorës quhen ato prona që përdoren nga Monarku apo familja mbretërore, por që janë pasuri e shtetit apo të ndërtuara me fonde shtetërore. Kështu, për të bërë një krahasim, Buckingam Palace në Londër është në përdorim të monarkut, por është pronë e Kurorës (pra e shtetit), ndërsa Windsor Castle është pronë e trashëgueshme e familjes mbretërore. Në rastin e ndërrimit të dinastisë sunduese në Britaninë e Madhe, Windsor Castle do të mbetej pronë e familjes aktuale mbretërore, ndërsa Windsor Castle do të kalonte në përdorim të familjes së re mbretërore në fuqi. Sipas të njëjtës logjikë, pronat e Zogut të trashëguara nëpërmjet familjes në Burgajet apo në zonën e Matit janë pronë private e monarkut, ndërsa godinat e përdorura si pallat mbretëror apo të tjera të ndërtuara nga shteti dhe që përdoreshin nga Mbreti janë pronë e Kurorës.
Nëse do të donim ta bënim edhe më të prekshme situatën, mund të themi se do të ishte njësoj sikur Fatos Nano të pretendonte sot pronësinë mbi Vilën Qeveritare në Tiranë, pasi ai kishte banuar aty dhe ajo u restaurua gjatë kohës kur ai kish qenë Kryeministër.
Këtij vendi i kanë ikur një herë e përgjithmonë shumë pasuri, kështu që një më shumë apo më pak, duket sikur nuk ngre peshë, por në rastin konkret duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një nga investimet e para të përbashkëta të shtetit të shqiptarëve dhe që fati e do që të jetë ende më këmbë. Qoftë edhe për hir të historisë dhe të vazhdimësisë së institucioneve në kohë, do t’i bënte nder vetes çdo institucion që do të merrte nismën për ta rishikuar të gjithë këtë procedurë. E kam fjalën këtu, për Kontrollin e Shtetit, por edhe për Prokurorinë apo edhe për Avokatin e Shtetit, organe këto që i paguajmë pikërisht për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›