Bode: Problem pronat dhe korrupsioni
Raporti
Lira ekonomike, ministri i Financave pranon mangësitë
Ministri i Financave pranon disa dështime në reformën kundër korrupsionit apo regjistrimi i pronës. Kreu i Financave reagoi dje pas publikimit të raportit mbi lirinë ekonomike nga fondacioni Heritage. Megjithatë, vuri në dukej edhe përmirësime në tërësinë e klimës së biznesit dhe lirinë e të bërit biznes në Shqipëri, nisur nga vëzhgimi i raportit dhe krahasimi me vitet e kaluara. Duke u ndalur sërish te problemet e evidentuara në raport, ministri Bode tha se, se lufta kundër korrupsionit do të kërkojë kohë dhe nuk është e varur vetëm nga qeveria.
“çështja e pronës, çështja e korrupsionit dhe tregu i punës janë nën mesataren e të gjithë globit. Korrupsioni ka treguesit e vet të matjes dhe të vlerësimit. Ajo që është pozitive është progresi i bërë, ky është një proces që do të vazhdojë gjatë. Reformat i takojnë qeverisë, por jo vetëm qeverisë, i takojnë edhe institucioneve të tjera”, theksoi Bode.
Sipas raportit mbi liritë ekonomike për vitin 2009, Shqipëria renditet në vendin e 53-të nga 188 vende në listë. Krahasuar me një vit më parë vendi ynë ka shënuar një përmirësim prej 9 shkallësh, veçanërisht për sa u përket lirive fiskale, atyre të tregtisë dhe lirisë për të investuar.
“Eurobondi”
Ministri i Financave ka reaguar edhe ndaj projektit të ri të qeverisë për të emetuar eurobond me vlerë 300 milionë euro. “Shqipëria futet gradualisht me këtë akt, pjesë përfundimisht e tregut financiar botëror duke ofruar një prerje eurobondi shumë të përshtatshëm për të marrë në kohë sa më optimale që mund të shkojë deri në dhjetë vjet, dhe duke e marr me një norme interesi po ashtu të përshtatshme", u shpreh ministri i Financave gjatë konferencës për shtyp.
#