Vilarreali dhe Apoeli bëjnë mrekullinë
Vilarreali kishte detyrën më të vështirë nga të gjitha skuadrat “big” të ditës së djeshme. Spanjollët duhej të përmbysnin humbjen e pësuar një javë më parë në Danimarkë përballë OB Odenses. Danezët patën fituar 1-0, por ka qenë loja e dobët e “kanarinave” ajo që kishte ngritur më shumë dyshime rreth mundësive të Vilarrealit për të kaluar në fazën me grupe. Megjithatë, ekipi spanjoll, i udhëhequr nga Xhuzepe Rosi në superformë, ka mundur të përmbysë gjithçka. Një fitore e pastër, 3-0, ndaj një kundërshtari që nuk shfaqi në Spanjë atë që kishte shfaqur në ndeshjen e parë. E të mendosh se Vilarreali po humbiste shumë raste për shënim. Në pjesën e parë, vendësit shkojnë shumë pranë golit me anë të tentativave të Rosit, Nilmarit e Marçenës, por do të jetë fraksioni i dytë i ndeshjes ai që do të sjellë fitoren e madhe. Në minutën e 50-të, italiani Rosi do të barazpeshojë gjithçka me golin e shënuar pas asistit të Nilmarit, por lojtari “axurr” do e përsërisë veten edhe pas 16 minuash, kur do të shfrytëzojë asistin e Kanit për të kanalizuar fitoren dhe kualifikimin e Vilarrealit. Golin e tretë dhe të fundit do ta vulosë Karlos Marçena. Një tjetër kualifikim me përmbysje ka qenë ai i Apoel Nikosias, skuadrës që në turin e dytë eliminoi Skënderbeun. Qipriotët ishin mundur 1-0 në Poloni nga Visla e Krakovës, por në Nikosia ata do të bëhen zotër të fatit të tyre. Manduka do të shënojë në të 29-ën, gol që sjell barazimin e rezultatit në të dyja sfidat, ndërsa Almeida në të 54-ën do të shënojë golin e dytë, çka sjell edhe kualifikimin për qipriotët. Megjithatë polakët do të shkurtojnë avantazhin në 2-1, çka kualifikonte ata për në fazën e grupeve të Champions, por do të jetë edhe njëherë Almeida ai që do të çojë peshë zemrat e tifozëve të Apoel në një stadium të mbushur plot e përplot. Argjentinasi do të realizojë golin e tretë në minutën e 87-të.
Në ndeshjet e tjera, Bajerni ka fituar minimalisht në Zvicër ndaj Zyrihut. Për bavarezët autor i golit të vetëm do të jetë Mario Gomez në minutën e 7-të. Më pas ndeshja bëhet e hapur nga të dyja ekipet, por gjermanët do të shpërdorjnë shumë momente të mira shënimi. Malmo ka fituar 2-0 kundër Dinamos së Zagberit, duke i shkuar shumë pranë kualifikimit, pas humbjes 1-4 në Kroaci një javë më parë. Megjithatë goli i dytë ka ardhur pak minuta përpara fundit duke mos u dhënë shumë mundësi reagimi të zotëve të shtëpisë. Ndeshja e fundit që është zhvilluar dje ka qenë ajo mes belgëve të Genk dhe izraelitëve të Makabi Haifas. Sikundër edhe në sfidën e parë, ndeshja përfundon me rezultatin 2-1 dhe gjithçka shkon në shtesë