E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilhelm Majsteri. Vitet e formimit" nga J. V. Goethe

"Vilhelm Majsteri" i J.V. Gëtes, mbetet, në disa drejtime, romani më i madh gjerman. Ky është vlerësimi që i bën kritika në ditët tona kësaj vepre madhore të gjigantit të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.


I shkruar më 1976-ën, ky roman formimi për personalitetin e njeriut nga adoleshenca në moshën e pjekurisë, shënon një vepër pioniere, që do të ndiqet nga shkrimtarë të shquar e të mëdhenj të mëvonshëm, që nga G. Kelleri, G. Fraitagu, A. Shtifteri, etj., e deri te të mëvonshmit, T. Man e H. Hese.


Nëpërmjet një subjekti plot ngjarje e të papritura, që e bëjnë leximin të këndshëm, romani është njëkohësisht një ftesë për reflektime të thella. Është udhëtimi i një të riu, në krizë të rritjes, për të gjetur vetveten.


Në peripecitë që kalon protagonisti, me zhgënjimet nga dashuria e nga teatri, autori gjen rast të përfshijë jetën mbarë. Në këtë gjithpërfshirje, shohim gjeniun, vështrimi i të cilit depërton te të padukshmet, zbulon të fshehta që janë tabu për shoqërinë, përmbys paragjykime, shpall ide të reja. Pasioni i Vilhelmit për teatrin është pasioni për të njohur jetën, veten dhe të tjerët. Skena e teatrit, në roman, është metaforë e skenës së madhe të botës.


"Vilhelm Majsteri" është një nga kryeveprat e një prej zërave më të fuqishëm të përvojës njerëzore të të gjitha kohëve. Sapo është botuar nga "Elena Gjika", i përkthyer nga Anila Omari.

Samba Jazz me kitaristin Irio De Paula


Nga dje edhe sot vazhdon në mbrëmje koncerti i samba jazz-it, me kitaristin brazilian
Irio de Paula. Në Rei jo vetëm Jazz Club, De Paula interpreton i shoqëruar nga Giorgio Fontana (bass) dhe Stefano Rossini (perkusione). I cilësuar një kitarist i shkëlqyer, madje "mjeshtër" për aftësitë teknike dhe ndjesitë që përcjell në interpretim, mjeshtër jo vetëm për kitaristët por për të gjithë muzikantët, të cilët lëvrojnë stilin brazilian.


Muzika e tij i ka rrënjët tek jazz-i dhe tek etnomuzika e vendit të tij (është lindur në Rio de Janeiro), por edhe tek tradita e muzikës popullore afroamerikane dhe asaj të Amerikës së Jugut, sidomos atë shtrat të muzikës ku takohen dhe zhvillohen bashkërisht këto dy tradita.
Ai shkëlqen kur interpreton samba dhe balada si "Garota de Ipanema", "Dindi" apo "A felicidade".


Ka interpretuar me muzikantët më të mirë të vendit të tij si Paulo Moura, Baden Powell, Rauzinho, Djalma Ferreira, Juarez , dhe shumë të tjerë nga Astrud Gilberto tek Chico Buarque.

Ka regjistruar mbi 60 CD, disa solo dhe disa me artistë të tjerë Sal Nistico, Steve Grossman, Dannie Richmond, Archie Shepp, Don Pullen, Ray Mantilla, Franco D'andrea, etj. Në vitet '70-të ai bëri një turne koncertesh në Evropë me këngëtaren braziliane Elza Soares, dhe pasi mori pjesë në Pescara jazz Festival me trion e tij, vendosi të qëndrojë në Itali.


Irio de Paula është "virtuoz i vërtet", sepse interpreton në kitarë akustike po aq lehtë sa në kitarë elektrike, dhe është njëlloj i mirë në kitarën me gjashtë, shtatë apo 12 tela.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›