Rama: Në Fier fitojmë 10 deputetë
Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi kandidatët e Qarkut të Fierit
FIER - Kryetari i PS-së, Edi Rama, vijoi dje turin elektoral në Fier, ku ka prezantuar edhe kandidatët për këtë qark. Gjatë fjalës së mbajtur, Rama është përqendruar fillimisht tek rrugëtimi i gjatë që ai zhvilloi në çdo cep të Shqipërisë.
"Miqtë e mi, më lejoni në radhë të parë t'ju uroj mirënjohje të gjithë atyre njerëzve të këtij rrethi, të këtij qarku, që na mbështesin ne socialistëve. Uroj, për mirënjohje gjithashtu, të gjithë njerëzit e Shqipërisë që gjatë gjithë kësaj periudhe rrugëtimi dhe vullneti më bënë pjesë të shpresave dhe vuajtjeve të tyre, në udhëtimin më të jashtëzakonshëm të jetës time.
Ky udhëtim që më çoi në çdo anë dhe në çdo cep të Shqipërisë, më ka dhënë dashuri më të madhe për vendin, me një përmasë tjetër, dhe ka ndikuar tërësisht në vendimet dhe zgjedhjet e mia si kryetar i bashkimit më të madh të shqiptarëve dhe shqiptareve",- tha ai.
Rama ka theksuar se ndryshimi i madh nuk mund të ndodhë pa ndryshuar politikën. "Kjo nevojë e domosdoshme për ndryshim duhet kryer për ta çuar më tej të majtën. Ndryshimi nuk mund të ndodhë pa ndryshuar rregullat e lojës së vjetër, që mbështetet tek akuzat e shpifjet.
Kjo bindje dhe nevojë më ka kthyer këtu për t'u thënë se dua të bëhem Kryeministri i Shqipërisë, që përmbajtja e politikës së vjetër të shterojë dhe të lindë një politikë e re e juaja, bashkë me ju, për ju dhe me ju",- tha Rama. Gjatë takimit të zhvilluar në Fier, Rama shtoi se, "çdo votë e juaja sjell 10 deputetë për PS-në nga Qarku i Fierit".