Villas Boas, motorist

Lënia e Frank Lampardit jashtë formacionit bazë dhe përpjekjet për të kthyer sulmuesin Fernando Torres në formën e tij më të mirë duket paraqesin sfida të mjaftueshme për menaxherin e Chelseas, Andre Villas Boas.
Ai dëshiron të garojë me motoçikletë në rallyn e famshëm të Dakarit. Villas-Boas 33 vjeç ka pesë motoçikleta dhe pushon kokën nga futbolli rigoroz i Premierligës duke u ngjitur maleve të Portugalisë.
Shtegu i Dakarit i gjatë gati 10 mijë kilometra dhe konsiderohet si njëra prej ngjarjeve më të vështira në botë. Por, menaxheri i Chelseas – i cili shpreson të dërgojë ekipin e tij në një tjetër rrugëtim të gjatë në Munich për finalen e Ligës së Kampionëve në maj – planifikon që një ditë të garojë në Dakar.
“Do të doja një ditë të garoja në rallyn e Dakarit. Por, është e shtrenjtë dhe ndoshta diçka që mund të bëjë pasi të përfundojë karrierën si trajner”, tha ai. Portieri i Tottenhamit Carlo Cudicini pësoi lëndime të rënda në një aksident me motoçikletë më 2009 dhe shumica e futbollistëve e kanë të ndaluar ngasjen përderisa janë nën kontrata.
Por, Villas-Boas vazhdon të jetë i pasionuar për sportet motorike dhe ishte prezent në Monaco dhe garën për Çmimin e Madh të Belgjikës në Formula 1 këtë vit. “Menaxheri ka të drejtë të ngasë motoçikletë, futbollistët jo. Pasioni për dy gomat është diçka që është zhvilluar brenda meje. Motoçikleta ime e parë ishte një Yamaha XT 350cc, motor i rëndë për fillim. Më pas kam pasur Honda dhe KTMs si dhe disa të tjera. Kam paksa kokën e çmendur, jam ngjitur në male me gurë të mëdhenj dhe gati sa kam humbur jetën!” shtoi strategu portugez.
Aksidentet nuk kanë munguar. “Kur së pari kam marrë licencën – trajner i ekipit të rinjve në Porto – kam marrë pjesë në një garë shtetërore dhe theva dorën. Kam pasur disa aksidente, andaj tani mundohem të jem më i kujdesshëm. Sigurisht, përgjegjësia ime për punën është prioritet, por ndjenja kur jam në motoçikletë është fantastike. Nuk jam prej atyre njerëzve që e kanë obsesion lojën. Nuk e jetoj dhe marr frymë 24 orë në ditë ose të shkojë në shtëpi dhe të shikoj një ndeshje të divizionit të dytë gjerman. Kam pasion të madh për futbollin, por motoçikletat janë shpëtimi im. E kam një që ka garuar në Paris-Dakar dhe do të më pëlqente ta ngas një ditë”, përfundoi Villas-Boas.