E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina pëson humbjen e parë

Trepça ’89 e ka fituar derbin e xhiros së tetë të Superligës përballë Prishtinës, së cilës ia shkaktoi humbjen e parë këtë sezon. Vëllaznimi shënoi fitoren e radhës pasi në terren të vet e mundi Trepçën, derisa Hysi nuk ka arritur më shumë se një barazim kundër Lepencit. Nga Express më 02 tetor 2011 në ora 18:42

Lideri i Superligës, Prishtina e ka pësuar humbjen e parë në këtë stinor. Bardhekaltrit të dielën janë mposhtur në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë nga Trepça ’89, me rezultat minimal, 1:0 – në derbin e xhiros së tetë të Superligës.

Ibrahim Peci ishte hero i ‘Xehetarëve’, goli i të cilit gëzoi tej mase rreth 4 mijë tifozë të skuadrës mitrovicase, e cila sivjet objektiv e ka titullin e kampionit. Golin e vetëm dhe të fitores për Trepçën ’89, Peci e ka shënuar në minutën e 39-të të ndeshjes. Kurse, të kota ishin përpjekjet e prishtinasve për t’i barazuar shifrat, pasi aksioneve të tyre mirë u kundërviheshin mitrovicasit.

Pavarësisht humbjes, Prishtina mbetet lider në tabelën e klasifikimit me 17 pikë të tubuara, por tani ka vetëm një pikë më shumë se Drita e Vëllaznimi, të cilat pozicionohen në pozitat dy dhe tre. Kurse, me këtë fitore Trepça ’89 e ka ngushtuar disavantazhin në tri pikë më pak prej liderit Prishtina.

Vëllaznimi – Trepça2:1

Vëllaznimi mbetet i pamposhtur edhe pas xhiros së tetë të Superligës. Gjakovarët të dielën mirë e kanë shfrytëzuar përkrahjen e rreth 4 mijë shikuesve të tyre, duke e mposhtur Trepçën me rezultat 2:1. Madje, falë dy penaltive, kuqezinjtë ia dolën t’i shënojnë të dy golat, nëpërmjet të cilave i fituan tri pikë të reja.

Kandidati për titull të kampionit golin e parë e ka shënuar nga pika e bardhë në minutën e 45-të, nëpërmjet kapitenit Atdhe Gashi. Ky i fundit e mori përgjegjësinë për ta gjuajtur edhe penaltinë e dytë të fituar në minutën e 82-të, me ç’rast e shtoi avantazhin në 2:0. Ndërsa, deri në fund të ndeshjes Trepça nuk ka mundur të bëjë diçka më tepër veçse ta ngushtojë disavantazhin në 2:1 me një gol që e realizoi Berat Hyseni.

Hysi – Lepenci1:1

Hysi sërish ka kiksuar në shtëpi të vet. Kampioni në fuqi nuk ka mundur të shënojë fitore përballë skuadrës që është në krizë të rezultateve, Lepencit, pasi takimi mes tyre ka përfunduar me rezultat të barabartë 1:1. Kaçanikasit goditën llapjanët qysh në minutën e 8-të, kur kaluan në avantazh prej 0:1 me golin e Përparim Livorekës.

Megjithatë, bardhezinjtë ia dolën gjatë pjesës së parë t’i barazojnë shifrat në 1:1 me golin e Bujar Jashanicës. Mirëpo, në vazhdim të ndeshjes bardhezinjtë nuk kanë mundur ta shënojnë golin e fitores, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, pasi kuqezinjtë mirë mbroheshin, derisa nëpërmjet kundërsulmeve përpiqeshin të shënonin, por pa sukses. Hysi mbetet në pozitën e pestë të tabelës me 11 pikë, dy më shumë sesa kaçanikasit, të cilët nga e premtja e kaluar kanë mbetur pa trajner e pa kryesi të klubit.

TabelaNDGDPI
1. Prishtina8817
2. Drita8816
3. Vëllaznimi8516
4. Trepça ’898314
5. Hysi8311
6. Trepça8-111
7. Drenica8010
8. Lepenci8-29
9. Besa8-57
10. Gjilani8-57
11. KEK-u8-77
12. Liria8-86

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›