Matura e vjeshtës, notat e provimeve për të gjithë maturantët
MASH publikon rezultatet e provimeve të Maturës, për mbi 6 mijë maturantë që iu rinënshtruan testimeve në shtator
Ministria e Arsimit publikon rezultatet e provimeve të vjeshtës për mbi 6 mijë maturantë që iu rinënshtruan testimeve në lëndët ku kishin ngelur. Por, midis këtyre maturantëve ka pasur dhe të tjerë që janë testuar për provimet e Maturës në shtator, disa për arsye se e kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe duan ta ndjekin universitetin në Shqipëri, ndërsa të tjerë se nuk e kishin plotësuar Formularin A1, për të marrë pjesë në sesionin e parë të provimeve. Në provimet e vjeshtës kanë marrë pjesë 2364 maturantë tek Letërsia, 3095 tek Matematika dhe 4900 tek provimet me zgjedhje. Tashmë, të gjithë maturantët që kanë rezultuar kalues në këto provime, do të pajisen me Diplomën e Maturës, dokument ky që do t’i lejojë ata që të nisin studimet e larta që këtë vit, ndërkohë që mundësitë janë që nga aplikimi për vendet bosh me Formularin A3, studimet e pjesshme dhe universitetet private. Aktualisht, universitetet publike të vendit janë në fazën përfundimtare të pranimit të studentëve të rinj, për studimet e ciklit të parë me kohë të plotë. Ditën e premte të kësaj jave do të mbyllet edhe procedura e regjistrimit përfundimtarë të fituesve, dhe vendet që do të ngelen të paplotësuara pas kësaj faze, do të futen përsëri në konkurrim nëpërmjet Formularit A3. Deri tani, universitetet raportojnë për 1354 vende bosh, dhe sipas Ministrisë së Arsimit, këto janë kuota që nuk janë përzgjedhur nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. MASH ka bërë të ditur se këto kuota mund të jenë kontigjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve.