Violeta Trebicka: Aktorët më shumë vlerësohen nga publiku dhe shoqëria se sa nga institucionet
Është pa dyshim një nga aktoret më të talentuara të skenës shqiptare, por talenti i saj ka spikatur dhe në kinematografi, duke sjellë për publikun role dhe karaktere nga më të ndryshmet. Kjo është aktorja Violeta Banushi (Trebicka), e cila rrëfen në këtë intervistë dhënë për gazetën jetën e saj artistike, vështirësitë dhe emocionet që i fali interpretimi në tragjedinë e antikitetit,
që u ngjit së fundi në skenën e Teatrit Kombëtar. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen Anonimi i Venedikut në vitin 1994 një shfaqje, e cila në atë kohë mori shumë vlerësime, e ndërsa e kujton atë kohë me emocion aktorja Violeta Trebicka sot ajo është një nga aktoret më të preferuara për publikun shqiptar. Në të gjithë rolete saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ajo ka sjellë para publikut. Megjithëse ajo u shkëput për një periudhë kohe nga skena, por vlerat asnjëherë nuk humbasin, dhe kjo ndodh dhe me aktoren Trebicka, pasi ajo pati një rikthim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Aktorja tregon se jeta e saj mes teatrit dhe filmit nuk ka qenë dhe aq e lehtë, por kur punon me pasion për profesion tënd atëherë ke dhe sukses. Ndërkohë që sërish publiku e vlerëson për interpretimin e saj në serialin televiziv Dhimbja e Dashurisë me regji të Ylli Pepos. Sa i takon veprës së antikitetit, ku aktorja ishte pjesë e korit, i cili u cilësua si shumë i rëndësishëm nga regjisori Adonis Filipi ajo tregon se veprat dramatike të antikitetit janë prestigj për repertorin e një teatri, aq më tepër për atë të Teatrit Kombëtar. Tragjeditë e antikitetit janë pjesë e rëndësishme dhe në programin mësimor, që ne zhvillojmë në Akademi, dhe kjo ka qenë dhe shtysa kryesore e imja për të marrë pjesë në një vepër të Sofokliut, siç është Elektra. Njohja me këtë vepër të çon në zbulime më të thella të zhvillimit ë shoqërisë së asaj kohe. Këtu fillojnë dhe emocionet e para të mijat në lidhje me këtë vepër. Duke marrë pjesë në personazhin kor, shumë i rëndësishëm në Antikitet, je zëri i brendshëm, apo mbështetës i protagonistes, Elektra. Je një pjesë e trupit të saj, të dashurisë, urrejtjes, apo ndjesisë hakmarrëse, dhe të qenit pjesë e Elektrës të sjell emocione të forta kontradiktore, siç është dashuria dhe urrejtje, emocione të forta që derivojnë në lëvizje të mëdha, tregon ndër të tjera aktorja Trebicka. Më tej gjatë kësaj interviste ajo tregon se bazë e suksesit në krijimtarinë teatrore është një bashkëpunim i frutshëm midis regjisorit dhe aktorit. Unë kam pasur fat në punë me regjisorët, sepse kam shkuar mirë me ta, dhe Adonisi është nga ata regjisor, që është i qartë në konceptin e tij mbi realizimin e veprës, si dhe është i hapur në atë që ti vetë ofron, në funksion të veprës dhe të konceptit që ai ka ndërtuar. Për të mos folur pastaj që në kontestin social, Adonisi është më i mirë se sa duhet, cilëson aktorja. Aktualisht Violeta Trebicka është pedagoge në Akademinë e Arteve, ku tregon për punën e saj me studentët. Për brezin e ri të aktorëve ajo pohon se çdo brez ka karakteristikat dhe fizionominë e vet dhe sipas saj brezi i ri i sotëm i aktorëve duhet të jetë shumë më i fokusuar dhe më i kthjellët në atë çfarë do, dhe si e do. Ajo shton se profesioni i aktorit ka të veçantat dhe vështirësitë e tij, sa më të ndërgjegjshëm të bëhen aktorët dhe aktoret e reja, apo edhe regjisorët e rinj për këto të veçanta dhe vështirësi aq më e shëndetshme dhe e sigurt do të jetë e ardhmja e afërt e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Në vijim të kësaj interviste ajo na tregon dhe si nisi karriera e saj artistike, por zbulon dhe disa nga projektet e saj artistike.
-Para disa ditësh u ngjitët në skenë me veprën teatrore Elektra. Cilat ishin emocionet që ju morët me këtë vepër?
Veprat dramatike të antikitetit janë prestigj për repertorin e një teatri, aq më tepër për atë të Teatrit Kombëtar. Gjithashtu tragjeditë e antikitetit janë pjesë e rëndësishme e programit mësimor, që ne zhvillojmë në Akademi, dhe kjo ka qenë dhe shtysa kryesore e imja për të marrë pjesë në një vepër të Sofokliut, siç është Elektra. Njohja me këtë vepër të çon në zbulime më të thella të zhvillimit ë shoqërisë së asaj kohe. Këtu fillojnë dhe emocionet e para të mijat në lidhje me këtë vepër. Duke marrë pjesë në personazhin kor, shumë i rëndësishëm në Antikitet, je zëri i brendshëm, apo mbështetës i protagonistes, Elektra. Je një pjesë e trupit të saj, të dashurisë, urrejtjes, apo ndjesisë hakmarrëse, dhe të qenit pjesë e Elektrës të sjell emocione të forta kontradiktore, siç është dashuria dhe urrejtje, emocione të forta që derivojnë në lëvizje të mëdha.
-E ndërkohë që ishit pjesë e korit, i cilësuar si shumë i rëndësishëm nga regjisori. Vështirë që të përshtateshit?
Është e vështirë përshtatja në personazhe të tilla sepse, siç ishte në rastin e projektit Elektra, korri përbëhej nga tetë gra.( Por në Antikitet korri mund të jetë edhe me 12 vetë.) Kur flasim për tetë gra, duhet të kemi parasysh, se flasim për tetë individë, tetë karaktere të ndryshëm që duhet të bëhen një zë, një frymëmarrje, një tingull, një lëvizje. Dhe një gjë e tillë kërkon mirëkuptim, tolerancë, dashuri pune, që ndrydhe do ta përkufizoja me fjalën harmoni. Dhe jam e bindur se në shfaqje u ndie harmonia midis grave të korit, midis korit dhe Elektrës dhe në funksion të Elektrës.
-Si e vlerësoni bashkëpunimin me regjisorin Adonis Filipi?
Bazë e suksesit në krijimtarinë tonë është një bashkëpunim i frutshëm midis regjisorit dhe aktorit. Unë kam pasur fat në punë me regjisorët, sepse kam shkuar mirë me ta, dhe Adonisi është nga ata regjisor, që është i qartë në konceptin e tij mbi realizimin e veprës, si dhe është i hapur në atë që ti vetë ofron, në funksion të veprës dhe të konceptit që ai ka ndërtuar. Për të mos folur pastaj që në kontestin social, Adonisi është më i mirë se sa duhet.
-Sipas jush çfarë solli kjo tragjedi e Sofokliut në Teatrin Kombëtar?
Në radhë të parë vepra Elektra solli në skenën e Teatrit Kombëtar një autor të madh si Sofokliu, po e përsëris është në prestigjin e çdo teatri ngjitja në skenë e veprave të tilla, jo vetëm në planin autorial, por në angazhimin e të gjithë strukturave dhe komponentëve të tjerë teatrorë. Karaktere të fuqishëm, shumë dimensionale, situata dhe rrethana të jashtëzakonshme, përplasje të mëdha të cilat fatmirësisht ti dhurojnë autorë dhe kryevepra të tilla të dramaturgjisë.
-Një jetë artistike e mbushur me role të ndryshme në kinema dhe në teatër, por si nisën fillimet e Violetës me aktrimin?
Në kujtimet e mija, apo në ato që më kanë thënë prindërit, unë që e vogël kam kërcyer dhe imituar shumë, dhe gjyshja ime (nga babai), gjithmonë shprehej se një ditë unë do të bëhesha artiste. Pastaj në shkollë të mesme pas fitimit të një kinoprove, gjë që pjesëmarrja në film nuk mu lejua nga familja, ëndrra ime u ngacmua më shumë. Pastaj me leje, apo pa leje fillova të bëja disa role të vogla në filmat shqiptarë dhe insistova që të hyja në Akademinë e Arteve, megjithëse mua më doli shkolla për shkencat, Kimi. Refuzova dhe me shumë mundime u futa në Akademinë e Arteve. Mundimet më ndjekin edhe sot.....
-Si e keni parë gjatë këtyre viteve zhvillimin e kinemasë dhe teatrit në vendin tonë?
Kinemaja dhe teatri janë dy arte shumë pranë publikut të gjerë. Megjithë vështirësitë që ndeshën këto dy arte pas viteve 90-të, kam mendimin që si kinemaja ashtu edhe teatri kanë marrë fizionominë e tyre. Natyrisht vështirësi ka pafund, por artistët shqiptarë të kinematografisë dhe teatrit në një kuptim janë vërtetë heronj. Duhet një kujdes dhe një mbështetje akoma më e madhe për të vjelë vlerat reale dhe talentet, të cilat nuk i mungojnë vendit tonë.
-Sipas jush sa vlerësohet aktori në Shqipëri?
Vlerësimi i aktorit është tepër kompleks, sa moral aq edhe material, sa shoqëror, po aq edhe institucional. Në këtë kuptim kam pë