Violinat e ndërtuara me dru të infektuar tingëllojnë si ato të Stradivarit
Disa vite më parë, Francis Schwarze dalloi diçka të pazakontë. Dr. Schwarze, i cili punon te laboratorët federalë të Zvicrës për materialet e shkencës dhe teknologjisë, e dinte se tingujt udhëtojnë më shpejt kur kalojnë përmes drurit të shëndetshëm, i cili është i fortë dhe me densitet, ndërkohë që udhëton më ngadalë kur kalon në dru të butë të zbutur nga një sulm kërpudhash. Por ai zbuloi se në fakt nuk qenë kërpudhat që e ngadalësonin zërin. Për më tepër, cilësitë akustike të drurit të infektuar dukeshin të ngjashme me cilësitë më perfekte që prodhuesit e violinave dëshirojnë. Kështu, dr. Schwarze bëri disa violina duke përdorur dru të infektuar dhe zbuloi se tingujt e tyre qenë të ngjashëm me ato që krijohen nga violinat e Stradivarit.
Ai po punon aktualisht për të standardizuar këtë trajtim me kërpudha të drurit, në mënyrë që të krijojë violina të njëjta. Shpresa e tij është që do të prodhojë instrumente moderne të afta për të prodhuar tinguj të ngrohtë njësoj si ato violina që u prodhuan vonë në shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe herët në shekullin e tetëmbëdhjetë nga Antonio Stradivari.
Se çfarë i bën instrumentet e Stradivarit kaq magjike është një mister. Përveç aftësisë të jashtëzakonshme, mjeshtri dhe punonjësit e tjerë të punishtes së tij në Kremona përdorën lloje të ndryshe druri dhe ka shumë gjasa që përdorën edhe trajtime të ndryshme kimike. Gjithsesi dihet se periudha gjatë së cilës ato prodhuan kryeveprat, përkon me një periudhë të ftohtë në Europë, e cila zgjati nga viti 1645 deri në vitin 1715. Në dimrat e gjatë dhe në verat e freskëta drunjtë ka shumë gjasa që janë rritur më ngadalë, duke krijuar plot ngurtësi, e cila është pikërisht ajo që nevojitet për një prodhues violinash. Trajtimi i drurit me disa lloje kërpudhash krijon pikërisht cilësi të ngjashme. Speciet që dr. Schwarze i përdori mbi një lloj rrënje të bardhë të quajtur Physisporinus vitreus, qenë kërpudhat Xylaria longipes. Ai i vuri kërpudhat mbi drurin e bredhit norvegjez që përdoret për trupin e instrumentit, si dhe mbi drurin e panjës që përdoret për pjesët e tjera. Ajo çfarë e bën të pazakontë këtë kërpudhë, është se ajo gradualisht degradon muret e brendshme të instrumentit, duke i holluar ato pa i shkatërruar tërësisht. Kjo krijon një ambient të tillë ku tingujt mund të kalojnë pa kompromentuar elasticitetin e drurit. Kur kërpudhat e kanë bërë punën e tyre, mjeshtri e trajton drurin me gaz dhe e vret infeksionin. Pastaj ai ua jep drurin dy mjeshtërve në prodhimin e violinave për të vijuar më tej.
Eksperimenti i tij funksionoi. Një testim i verbër u krye në vitin 2009 nga Matthew Trusler, një violinist britanik, duke krahasuar violinat moderne të prodhuara me dru të patrajtuar me kërpudhën magjike me atë të trajtuar. Druri i përdorur ishte i të njëjtit lloji që përdorte Stradivari më 1711-n. Një juri me ekspertë dhe shumica e audiencës deklaruan se violina e kërpudhës ishte në fakt një Stradivari. Kualiteti i toneve është subjekt i matjeve, natyrisht dhe vetë violinat e Stradivarit dallojnë nga njëra-tjetra. Por muzika dhe eksperienca subjektive që apo prodhon është në fakt ajo që vlen. Mjeshtri i Kremonës thuhet se nuk është mposhtur nga asnjë prodhues violinash për 300 vjet. Askush nuk ka qenë në gjendje të zbërthejë sekretin që i bën tingujt e violinave të tij kaq magjike. Ndoshta, thonë ekspertët, dr. Schwarze e ka zbuluar më në fund këtë sekret, falë kërpudhës magjike.
Violinat e ndërtuara me dru të infektuar tingëllojnë si ato të Stradivarit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip