Violinistja shqiptare në “Skyfall”

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar prej nesh mund të shihet njësoj si një film shumë i mirë, i bazuar në një histori të vërtetë. Një botë e tërë ëndrrash, që nuk mund të ketë fuqi tjetër perceptimi përveçse atij të filmit.
Pas atij tapeti të kuq, fustaneve e gurëve të çmuar, këtë vit ishte edhe një vajzë shqiptare. Ina Veli është violinistja që ishte pjesë e orkestrës që shoqëroi kolonën zanore më të mirë të këtij viti, “Skyfall”, kënduar nga Adele. Ishte aty, përpara atyre dritave që të verbonin edhe nga ekrani. Ishte pjesë e asaj magjie që ndodh një herë në vit dhe që as yjet e Hollivudit nuk mund ta prekin përvit njësoj.
Ina Veli nuk ka asgjë për të cilën nuk i gjen fjalët e duhura për të përshkruar efektet që shkaktoi ajo natë në mendje, trup e lëkurë.
"Në Hollivud muzikantët klasikë janë të lidhur me disa kontraktues (sekserë), të cilët janë përgjegjës për gjetjen e muzikantëve nëpër shfaqje apo regjistrime të ndryshme. Unë kam që në vitin 2006 që punoj këtu dhe në bazë të punës që kam kryer këto vite, një nga këta menaxherë më ofroi që të luaja për Adele në Oscar’s. Kurse në Shqipëri lajmi erdhi përmes kushërirës sime, Anisa Dema dhe mikeshës sime, Dalina Buzi. Pasi mbaroi shfaqja, u habita dhe vetë me postimet e shumta në profilin tim personal, ku miq nga e gjithë bota po më përgëzonin për këtë arritje," ka thene ajo per "Panorama".
"Kjo përvojë për mua ka qenë e pabesueshme. Po ta thosha si shprehja amerikane, do të ishte “once in a lifetime” (një herë në jetë). Nuk mund të tregohet emocioni që ndien kur sheh, punon e dëgjon një nga këngëtaret më të mira në botë. Gjithashtu, të luash në atë skenë, ku publiku përbëhet nga figurat më të njohura në botë, yje të kinemasë, ishte edhe më emocionuese. Thjesht të ishe në prapaskena me gjithë këta aktorë, ishte një ndjesi shumë e bukur. Nuk kam fjalë, përveçse të them se ndihem shumë mirënjohëse që isha pjesë e gjithë kësaj përvoje", ka perfunduar veli. /Indeksonline/