Vip-at fundjavën në Shqipëri, pushimet në Europë
Në intervista të shumta ata thonë, që nuk ka si bregdeti shqiptar, se aty pushojnë dhe kënaqen. Por vetëm dy ditë ama… sepse më tej vijnë ankesat, - dhe me të drejtë, - për plehrat, muzikën e lartë, ashtu siç tregonte në rubrikën e saj, në revistën “Madam Mapo”, shkrimtarja e njohur Diana Çuli, kritikat për çmimet që nuk justifikonin cilësinë, etj… Por kur vjen puna për pushimet e vërteta, pjesa më e madhe e personazheve VIP në Shqipëri (e Kosovë madje) preferojnë Turqinë, Spanjën dhe vende të tjera turistike në Europë… kështu ka ndodhur dhe në hulumtimin tonë të sotëm, ku disa nga personazhet që kemi pyetur janë drejtuar në këtë fillim gushti, që është piku i vapës dhe i lejeve të zakonshme, pikërisht në plazhet e mrekullueshme të Turqisë, Spanjës, apo më fatlumët Francës…
Ardit Gjebrea në Turqi
Pasi i bëri një panoramë ekzotike vendeve më të bukura në Turqi, përmes programit të tij “E diela Shqiptare” në TV Klan, Ardit Gjebrea dhe familja e tij këtë herë i ka marrë seriozisht pushimet. Këtë fillim gushti, ai mbylli zyrën e tij të punës, e së bashku me Anilën, Jonin dhe Anna e vogël, janë nisur për të shijuar verën, plazhin, ushqimin dhe aventurat në lojërat e mrekullueshme që të ofron “Amaro Dolce Vita” në Kemer, të Turqisë. Është ky një nga vendet e preferuara të show-man-it të suksesshëm, të cilin siç e pohoi edhe në emisionin e tij, e frekuenton çdo verë. Sigurisht për të plazhi është ezauruar edhe më herët e gati çdo ditë në Gjirin e Lalëzit, ku ai ka një shtëpi, sikurse mjaft personazhe të tjerë.
Manjola Nallbani në Spanjë
Nuk ka fundjavë që Manjola Nallbani, këngëtarja e suksesshme, të mos e kalojë në udhëtim. Ajo është gjithmonë në lëvizje, si në dimër edhe në verë. Por, sigurisht gushti, kur ashtu sikurse edhe vajzat kanë mbaruar shkollë dhe bashkëshorti i saj ka përfunduar punën, është muaji që shijohet në maksimumin e vet. Këtë verë destinacioni ka qenë Spanja dhe plazhet e mrekullueshme të një nga vendeve më të bukur të Europës. Zakonisht, Manjola preferon të shkojë nga një vend në tjetrin, duke i bërë më të këndshme ditët e saj të pushimeve. Përsos kësaj, pushimet e Manjolës përherë janë të shoqëruara me surpriza për ditëlindjen e saj. Pikërisht dje, artistja ka pasur ditëlindjen, ndërsa nuk i kanë munguar urimet as në profilin e saj në facebook.
Blendi Klosi në Turqi
Për djalin e tij Aron, këto janë pushimet e para verore. Dhe Blendi Klosi, deputeti i Partisë Socialiste me bashkëshorten e tij janë nisur këtë fillim gushti drejt Turqisë, për t’i shijuar ato në maksimumin e tyre. Në fakt Turqia, është një destinacion i shpeshtë i familjes së Klosit, por këtë herë çiftit të ri do t’i duhet më shumë të përkujdesen për të voglin, sesa për veten e tyre. Sigurisht kjo është pjesë e kënaqësisë që të fal një fëmijë dhe nuk është asnjëherë e tepërt.
Turi dhe Orinda në Spanjë
Çifti VIP, i pa vetëshpallur kurrë, Orinda Huta dhe Turjan Hyska, pasi ka shijuar disa fundjava në plazhet e jugut të Shqipërisë, është nisur këtë fillim muaji drejt Spanjës. Sipas miqve të tyre pranë televizionit, ku dy të rinjtë punojnë, Orinda dhe Turi kanë qenë gjatë kësaj vere në të preferuarin vend të rinisë, Dhërmi, shpesh gjatë fundjavave të korrikut, ndërsa pushimet e gjata kanë zgjedhur t’i gëzojnë në Spanjë.
Mihrija dhe Naimi në Antalia
Edhe për çiftin VIP nga Kosova, dy artistët Miherije Braha dhe Naim Abazi, zgjedhja e kësaj vere është Turqia dhe konkretisht Antalia. Por ndryshe nga të tjerët, që në pushime vetëm punojnë, Mihrija dhe Naimi gjatë kësaj kohe kanë vendosur edhe të punojnë pakëz. Kështu që për ta, këto nuk do të jenë pushime të mirëfillta. Këngëtarja do të këndojë në një kompleks turistik me pushues të huaj dhe shqiptarë, të cilët do të dëgjojnë muzikën e çiftit. Gjatë një prononcimi për mediat në Kosovë, Mihrija ka thënë se me këtë rast ata do të synojnë ta promovojnë edhe muzikën e bukur shqiptare para publikut të huaj.