E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratia e bosit të “Euroil”, Task Forcë nis hetimet për raportin që e nxori nga qelia

SHKRUAN: Habjon Hasani 04-08-2011 17:11

Tiranë- Prokuroria e Tiranës nis një hetim për arratisjen e bosit të “Euroil”-it, Hajri Elezaj, duke vënë në fokus të tij ekspertët e mjekësisë ligjore. Hetimi i regjistruar nga Task-Forca ka si qëllim zbardhjen e mënyrës sesi biznesmeni i naftës e përfitoi arrestin në shtëpi, me pretendimin se qëndrimi në burg i rrezikonte shëndetin. Në kushtet kur një ndër të akuzuarit si përfitues në kontrabandën e naftës virxhin gjendet i arratisur, prokuroria ka hedhur dyshimet e saj mbi faktin se si një i sëmurë me zemër, sipas raportit mjeko-ligjor ka mundur të ndërmarrë aventurën e arratisë nga kushtet e arrestit shtëpiak. Ndaj, hetimi do të ketë në epiqendër të vet saktësinë e raportit mjeko-ligjor dhe të diagnozës së bërë nga mjekët. Pas verifikimeve të para, prokurorët dyshojnë se mjekët që kanë bërë diagnozën për Elezajn mund të jenë pjesë e planit që u finalizua me arratisjen e të paraburgosurit. Paralelisht me këtë hetim, prokuroria do të hetojë edhe në lidhje me vendndodhjen e Hajri Elezaj, për të cilin është shtuar edhe akuza e thyerjes së urdhrit të dhënë nga Gjykata e Tiranës për arrestin shtëpiak. Elezaj nuk iu bind as këtij vendimi, pavarësisht se mori një masë sigurie që e favorizonte, arrestin shtëpiak. Prokuroria e Tiranës nuk bëri të ditur nëse rrethi i personave përgjegjës mund të tejkalojë dhe dyshimet mbi mjekët, megjithatë tashmë në sitën e hetuesve kanë kaluar të gjitha raportet mjeko-ligjore që i janë referuar gjykatës, para se kjo e fundit të merrte vendimin për ta lënë Elezajn në arrest shtëpie. Biznesmeni i naftës u arrestua pas një hetimi të gjerë të Task-Forcës, duke u nisur nga denoncimi publik i ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Hetimet zbuluan skemën e kontrabandës së naftës virxhin, e cila deklarohej në mënyrë fiktive si e eksportuar, por në të vërtetë riciklohej në tregun vendas, duke u sjellë fitime të majme të akuzuarve. Fill pas arrestimit, Hajri Elezaj u dërgua me urgjencë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, pas shqetësimeve që kishte me zemrën. Ky fakt e ka ndihmuar atë të ndryshonte masën e sigurisë nga arresti me burg në atë shtëpiak, pas raportit mjeko-ligjor që i cilësonte kushtet e qelisë të rrezikshme për shëndetin e tij. Prokuroria apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi rikthimin e Elezajt në qeli, por ky i fundit nuk u gjet më nga policia në shtëpinë e tij. Arratia e Elezajt u krye në momentin kur Task-Forcë po thellonte hetimet mbi transaksionet bankare të biznesmenit dhe po investigonte disa kompani të tjera, të cilat ndodhen me seli jashtë Shqipërisë dhe për të cilat prokuroria mendon se mund të jenë kompanitë që kanë mundësuar transferimin jashtë vendit të milionave të përfituara nga kontrabanda e naftës virxhin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›