"Virtuozët e Tiranës" priten nga Kryeministri Berisha
Pas mbërritjes në Tiranë, artistët e orkestrës së harqeve "Virtuozët e Tiranës" janë pritur dje nga Kryeministri Berisha. Instrumentistët, që sot punojnë në orkestra dhe institucione prestigjioze të botës, janë rikthyer në Teatrin e Operës për koncertin që do të mbahet sot në mbrëmje, në orën 19.30. "Nuk ka përfaqësues më të mirë se ju për të përcjellë dhe forcuar imazhin e Shqipërisë në botë, përmes paraqitjes së vlerave më të mira kulturore të vendit", u ka thënë dje Kryeministri Sali Berisha artistëve të orkestrës së harqeve "Virtuozët e rinj të Tiranës", me dirigjent Zhani Ciko. Klajd Sahatçi, koncertmaestër i Teatrit "La Scala" në Milano, Gert Kumi, solist, pedagog dhe koncertmaestër i Orkestrës së Indianas, SHBA, Suela Mullaj, soliste e njohur në Evropë dhe koncertmaestër në Union Chamber Orchestra, Arben Skënderi, solist dhe pjesëtar i kuartetit "Gaudi" në Paris, Fatlinda Thaçi, koncertmaestër i orkestrës "Pomeriggi Musicali", në Milano, Suela Piciri, koncertmaestër e Teatrit të Operës dhe Baletit kanë qenë disa nga artistët që janë pritur dje në takim. Kryeministri Berisha i quajti ambasadorët më të mirë të integrimit të vendit. "Nuk ka përfaqësues më të mirë se ju për të përcjellë dhe forcuar imazhin e Shqipërisë në botë, përmes paraqitjes së vlerave më të mira kulturore të vendit", tha Kryeministri. Orkestra e harqeve Tiranë është krijuar rreth 20 vjet më parë, me nxënës 12 - 16-vjeçarë të Liceut Artistik në Tiranë dhe është e njohur për turnetë e saj të suksesshme në shumë vende të botës dhe për vlerësimet e marra nga shtypi ndërkombëtar për profesionalizim dhe muzikalitetin e spikatur. Kjo orkestër ka fituar çmime të larta në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, si në Belgjikë, Francë, Hungari, Greqi, Austri etj. Në vitin 1995, gjatë një turneu në Francë, iu dha edhe emri "Virtuozët e rinj të Tiranës".