Virusi : Në 4 ditë, 26 persona u infektuan me A/H1N1
Virusi pandemik po përhapet me shpejtësi në vendin tonë. Vetëm gjatë këtyre katër ditëve të fundit laboratori i virusologjisë në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë ka identifikuar 26 raste të reja me A/H1N1, duke çuar numrin në total të të prekurve në 76. Në buletinin e përditshëm të publikuar nga ISHP-ja për situatën epidemiologjike të virusit të gripit të derrave në vend, thuhet gjithashtu se numri më i madh i rasteve të konfirmuara u përkasin grupmoshave 25-44 vjeç.
Buletini
Specialistët e këtij instituti vërejnë një numër më të lartë të infeksioneve respiratore krahasuar me një vit më parë. Sipas tyre, këtë javë vihet re një trend në rritje i numrit të infeksioneve respiratore krahasuar me javën paraardhëse si dhe numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore vërehet në moshat fëminore.
Ndërkohë që theksojnë se nuk ka ende një shpërthim epidemik të infeksioneve të ngjashme me gripin. “Numri javor i rasteve është shumë i ulët në krahasim me pragun epidemik. Deri ditën e enjte janë marrë 1099 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me A/H1N1 deri ditën e enjte është 76”, - thuhet në buletin.
Kështu, rastet e konfirmuara me virusin pandemik sipas grupmoshës janë 1-4 vjeç është konfirmuar 1 rast, 5-14 vjeç janë konfirmuar 14 raste, 15-24 vjeç janë konfirmuar 29 raste, 25-44 vjeç janë konfirmuar 20 raste, 45-59 vjeç janë konfirmuar 9 raste si dhe mbi 60 vjeç janë konfirmuar 3 raste. Ndërsa shpërndarja e rasteve sipas rretheve është përkatësisht në spitalin infektiv në QSUT janë konfirmuar 46 raste, në spitalin pediatrik QSUT janë konfirmuar 2 raste, në poliklinikat e Tiranës janë konfirmuar 9 raste, në spitalin rajonal të Durrësit janë konfirmuar 7 raste, në spitalin e Matit janë konfirmuar 6 raste, në spitalin rajonal të Gjirokastrës janë konfirmuar 2 raste, në Berat janë konfirmuar 2 raste, ndërsa në Devoll dhe Sarandë për secilin vend janë konfirmuar nga një 1 rast.
Virologët
Specialistët e ISHP-së theksojnë se përveç virusit të gripit të ri pandemik A/H1N1 konfirmohet edhe qarkullimi i virusit të gripit të zakonshëm stinor. Ndër shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare dhe nuk janë shfaqur komplikacione. Mbikëqyrja në të gjithë vendin është forcuar për zbulimin dhe monitorimin rasteve me sëmundje të rëndë respiratore. Nga fillimi i javës kanë filluar të vërehen grumbullime me raste infeksionesh respiratore në disa shkolla në Tiranë dhe në Mat. Në të dyja shkollat konfirmohet qarkullimi i gripit të ri A/H1N1. Shenjat klinike të rasteve kanë qenë të lehta dhe mungesat në shkollë kanë zgjatur mesatarisht 2-3 ditë.
Veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor ministria e shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me ministritë e linjës e tjera me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet ushtarake dhe institucionet sociale dhe kulturore. Për këtë qëllim janë dërguar udhëzimet përkatëse në ministrinë e Arsimit, Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Kulturës. Është siguruar sasia e nevojshme e tamiflusë dhe është shpërndarë sasia rezervë në të gjithë spitalet rajonale të vendit.
Rastet e konfirmuara sipas grupmoshës
1-4 vjeç është konfirmuar 1 rast
5-14 vjeç janë konfirmuar 14 raste
15-24 vjeç janë konfirmuar 29 raste
25-44 vjeç janë konfirmuar 20 raste
45-59 vjeç janë konfirmuar 9 raste
60 vjeç janë konfirmuar 3 raste
Shpërndarja e rasteve sipas rretheve
Spitali infektiv në QSUT janë konfirmuar 46 raste
Spitali pediatrik QSUT janë konfirmuar 2 raste
Poliklinikat Tiranë janë konfirmuar 9 raste
Spitali rajonal i Durrësit janë konfirmuar 7 raste
Spitali Mat janë konfirmuar 6 raste
Spitali rajonal Gjirokastër janë konfirmuar 2 raste
Spitali rajonal Berat janë konfirmuar 2 raste
Spitali Devoll është konfirmuar 1 rast
Spitali Sarandë është konfirmuar 1 rast