E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi H1N1, rasti i parë në Shqipëri

Virusi H1N1 mbërrin në Shqipëri. Pasi ka tmerruar një pjesë të mirë të Amerikës dhe Europës, virusi H1N1 i njohur ndryshe si gripi i derrit ka prekur tashmë edhe një qytetar shqiptar. Rasti i parë është konfirmuar në Gjirokastër mes 80 rasteve të dyshuara për virusin H1N1. Drejtori i institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli ka konfirmuar se një student 20 vjeçar nga qyteti i Gjirokastrës është rasti i parë i virusit H1N1 në Shqipëri.
Mësohet se studenti në universitetin "Eqerem Çabej", kishte bërë rreth një javë më parë analizat të cilat më pas ishin çuar në Rumani dhe më pas në Londër ku dhe është konfirmuar rasti i parë H1N1. Rasti i studentit nga Gjirokastra është një nga 80 rastet të cilat janë marrë në vëzhgim nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkaq bëhet e ditur se 20- vjeçari i prekur nga ky virus ka vetëm siptoma të lehta, por gjithsesi për një përkudesje më profesionale do të transferohet në Tiranë.
Edhe pse i gjithë sistemi shëndetësor në vend ka qenë prej kohësh në alarm për shkak të përmasave të mëdha të shtrirjes së virusit H1N1, tashmë me zbulimin e rastit të parë Ministria e Shëndetësisë ka vënë në alarm të gjithë spitalet e vendit për të qenë të vëmendshëm ndaj çdo pacienti që paraqet siptomat e gripit të derrit. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo është shprehur për "Ora News" se në portin e Durrësit janë identifikuar edhe 3 marinarë filipinas të cilët dyshohen se janë të prekur nga virusi H1N1. Sipas Godos, priten analizat nga Britania e Madhe për të konfirmuar nëse 3 marinarët janë me të vërtetë të prekur nga gripi i derrave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›