Virusi i Nilit, të prekur 17 persona që nga fillimi i vitit

Anopheles, mushkonja që përhap malarien
Pas rikthimit të malaries, autoritetet shëndetësore ngrenë alarmin për shtimin e rasteve nga Virusi i Nilit. Ky virus që nga fillimi i vitit ka prekur 17 persona, ndërkohë që ka raste të tjera të dyshuara. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas mjekëve, sëmundja në 80% të rasteve nuk shfaq asnjë simptomë, ndërsa në rastet e tjera pacienti ka shenja të gripit të zakonshëm dhe disa puçrra në lëkurë. “Në 20 për qind mund të manifestohet me një sindromë pseudogripale, me temperaturë, me dhimbje koke, me dhimbje kyçesh, me dhimbje muskujsh, ndonjëherë me dalje të disa puçrrave në trup dhe në më pak se 1 për qind të rasteve ai shfaq komplikacionet më të rënda të tij, që është prekja e sistemit nervor qendror”, thonë mjekët. Nga sa bëjnë me dije bluzat e bardha, deri tani rastet e zbuluara nuk kanë qenë të formave të rënda. Por sipas tyre, në shtetet fqinje si Maqedonia sëmundja ka shkaktuar viktima, çka e bën riskun edhe më të madh. Pickimi nga mushkonja, që është mbartëse e këtij virusi, jo vetëm që mund të dëmtojë sistemin mendor, por dhe të lërë pasoja te të prekurit përgjatë gjithë jetës. “Disa nga pasojat e sëmundjes janë humbja e kujtesës, paralizë e pjesshme e trupit deri dhe humbje jete”, shprehen mjekët infeksionistë. Sipas tyre, çdo person që pickohet nga ndonjë mushkonjë dhe ka të paktën një shenjë shoqëruese, temperaturë apo puçrra në formë ekzeme në trup duhet t’i drejtohet spitalit.
Kush rrezikon
Ashtu sikurse edhe nga malaria, personat që jetojnë përgjatë vijës bregdetare dhe ata pranë lagunave, duhet të jenë më të kujdesshëm. Mushkonja që transmeton sëmundjet, tashmë qarkullon brenda vendit dhe nuk kemi të bëjmë më me raste të importuara.